E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Shkencave u përdor për të mos reformuar sistemin

Pak kohë më parë u lajmërua që përfundoi reformimi i Akademisë së Shkencave. Qeveria nxitoi ta paraqesë atë në opinionin publik si një vlerë për krejt sistemin shkencor dhe si një akt që përmbyllte me sukses reformimin e tij. Ajo e quajti reformim, sepse u pranuan njëzet anëtarë të rinj që zëvendësonin të vjetrit dhe sepse për vlerësimin e aplikimeve të tyre, morën pjesë të huajt dhe jo shqiptarët. Mjeshtrit e manipulimit arritën ta absolutizojnë këtë ngjarje duke i dhënë ngarkesën që kurrsesi nuk mund ta ketë, ia servirën mediave si një reformim thelbësor dhe ato patën kohë ta mbllaçitin atë me nge dhe për një kohë të gjatë. Cilët ishin të huajt, hollësi pa fund mbi autoritetin që kishin, vlerësimi transparent i aplikimeve, paanshmëria, gjaku i ri; të gjitha këto zëvendësuan atë që vështirë mund ta mendoje të zëvendësohej. U lanë në hije, u shmangën ose u gënjye pa skrupull për çështjet e mëdha që përcaktojnë vetë kërkimin shkencor dhe reformimin e tij në Shqipëri. Nuk flitet më për zhvendosjen e kërkimit shkencor në universitete dhe integrimin e tij me mësimin, për eliminimin e mbivendosjeve të burimeve njerëzore dhe materiale paralele në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor brenda kufijve të shtetit, gjë që ka sjellë dhe përditë sjell një efektivitet shumë të ulët të përdorimit të tyre. U shmangën problemet e mëdha që i lënë universitarët, pedagogë dhe studentë, jashtë kërkimit shkencor. Nuk flitet më se si do të formohen ekipet e kërkimit në nivelin e punës, pra në nivelin e profesorit dhe studentit, çka realisht do t’i bëjë të zbatueshme programet e thjeshta mësimore, programet master dhe doktorature, apo që do t’i përfshijë ata në zgjidhjen e problemeve që lidhen me shoqërinë dhe ekonominë e sotme shqiptare. U shmangën çështjet thelbësore të financimit të universitetit apo të njerëzve që punojnë direkt në mësim dhe kërkim, çështje të financimit të sistemit të kërkimit shkencor si një i tërë, që substancialisht kanë mbetur njësoj siç i kemi pasur në kohën e totalitarizmit. U shmangën çështje të mëdha të vendosjes së kapacitetit vendimmarrës në zonën midis kërkimit shkencor dhe qeverisë duke përfshirë edhe krijimin e një fondacioni për shkencën, që do të mund të ndryshonte krejtësisht natyrën dhe modelin e financimit të kërkimit shkencor.

. . .

Në dhjetor të 2005, një grup profesorësh u thirr nga kryeministri i vendit për të përgatitur platformën e reformimit të sistemit shkencor në Shqipëri. Në një takim të shkurtër, z. kryeministër, në thelb, shprehu mendimin që është bërë i domosdoshëm reformimi i Akademisë së Shkencave dhe se ai kërkonte që ky reformim të përgatitej dhe realizohej sa më shpejt nga ky grup.

E kuptova menjëherë se mënyra si u shtrua detyra ishte e gabuar. Që në vitin 1996, në një raport të përgatitur në bashkëpunim me një ekip të Këshillit të Evropës, Ministria e Arsimit të Lartë dhe Shkencës bënte të qartë se për Shqipërinë është urgjente nevoja për reformim jo e Akademisë së Shkencave, por reformimi i krejt sistemit universitar dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, pjesë e së cilës ishte edhe Akademia. Nevoja për reformim e një institucioni, sistemi, pra edhe e Akademisë së Shkencave, lind vetëm kur krijohen probleme për shkak të organizimit apo misionit që nuk përputhen më me kohën. Prandaj, para se të vendosësh për reformim, është esenciale të pyesësh: çfarë nuk shkon me Akademinë e Shkencave? Mund të të shkojë në mendje se reformimi i saj duhet bërë, pasi Akademia merr shumë pará nga shteti. Në rregull, por të gjithë e dimë që kërkimi shkencor është i shtrenjtë kudo. Apo, nëse vërtet është një buxhet i papërballueshëm, atëherë le të paguhet më pak dhe kështu akademikët mund ta përdorin paranë në një mënyrë më racionale apo mbi bazë të revizionimit të prioriteteve që kanë aktualisht. Sigurisht, vetëm kjo nuk është e mjaftueshme për një reformë të dimensioneve shtetërore. Ose, studiuesit që punojnë në institutet kërkimore nuk janë të zotë apo nuk janë të kualifikuar, çka mund të shtynte në një reformë. Kjo rezultonte e padrejtë, jashtë realitetit. Pra, edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një problem, çka nuk të jep asnjë arsye për reformë gjithashtu. Një arsye tjetër mund të ishte e lidhur me numrin e shumtë të punonjësve, që nuk e justifikojnë punën e tyre, veçanërisht një numër i lartë i personelit administrativ. Në rregull, mund të bëhen shkurtime të personelit, por nuk ishte nevoja të reformonim Akademinë e Shkencave, apo të paktën nuk ishte nevoja për një reformë me rëndësi për vendin.

Ishte fare e qartë se po t’i referoheshim vetëm Akademisë së Shkencave, ishte e pamundur të përcaktoje nevojën për reformë dhe aq më shumë, dimensionet e saj. Ishte nga ato raste, në të cilat studimi i një objekti në vetvete nuk të jep asnjë informacion të rëndësishëm për sistemin që përbëhet nga shumë objekte të ngjashme me të, por ajo që vërtet të çon të zbulosh më të rëndësishmen, më qenësoren, është studimi i fenomeneve që lindin në sipërfaqen e takimit të objekteve, pra fenomenet që lindin në krejt sistemin si një i tërë. Nevojën për reformë, por edhe përmasat e saj, mund t’i identifikoje si të tilla, pra realisht, vetëm nëse ndryshoje sistemin që studioje, e zgjeroje atë, fusje brenda tij të gjithë komponentët që kanë “sipërfaqe kontakti” me kërkimin shkencor. Pra, në thelb, për të kuptuar dimensionet e vërteta të problemit, nuk duhet t’i referohesh vetëm Akademisë në vetvete, si të tillë, por edhe universiteteve, edhe institucioneve të tjera shkencore të vendit, pra krejt sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor brenda kufijve të shtetit. Dhe menjëherë sapo e vendosje në fokusin e analizës sistemin e kërkimit shkencor të marrë si një e tërë, atëherë menjëherë dalloje ekzistencën e dy problemeve rëndësishme për t’u konsideruar: së pari, ndarja e mësimit nga kërkimi shkencor, gjë që ka çuar në shumë raste në një mbivendosje të burimeve njerëzore dhe materiale në fushën shkencore, prandaj edhe në një efektivitet shumë të ulët të krejt sistemit dhe, së dyti, përjashtimi i përdorimit të burimeve “të kyçura” apo të izoluara materiale dhe njerëzore në fushën shkencore nga procesi mësimor i rinisë universitare. Thjeshtësisht, zgjidhja e këtyre dy problemeve dhe jo Akademia e Shkencave duhet të ishin në fokusin e reformës. Reforma do të quhej e kryer, e suksesshme, kur të paktën, nga pikëpamja institucionale dhe ligjore, të krijohej një sistem unik i mësimit universitar dhe kërkimit shkencor, në të gjitha nivelet, veçanërisht të integroheshin të dyja ato në nivelin individual, në nivelin e profesorit dhe të vetë studentit. Pra, vetëm kur të kryhej realisht integrimi institucional i instituteve të Akademisë së Shkencave dhe të tjera instituteve kërkimore që aktualisht janë pranë ministrive me departamentet, fakultetet dhe universitetet e vendit.

. . .

Në mbledhjen e parë, menjëherë pas takimit me kryeministrin, grupi i profesorëve diskutoi dhe pranoi idenë se reformimi i Akademisë së Shkencave është një aksion apo një proces pa kuptim dhe duhet të zëvendësohej me reformimin e krejt sistemit kërkimor brenda kufijve të shtetit. Këshilltari i kryeministrit, i ngarkuar për drejtimin e grupit, nuk dha shenja që të kundërshtonte objektivin e ndryshuar të punës së grupit. Në takimet që vijuan ai e pranoi këtë ide dhe të gjithë e kuptuam që kishte marrë miratimin e kryeministrit. Procesi i përgatitjes së dokumentit bazë të reformës zgjati rreth një vit dhe u shoqërua me diskutime të shumta publike dhe jopublike. Më në fund arritëm në formën përfundimtare dhe ajo që pritej ishte zbatimi i tij, i cili nuk ndodhi kurrë, të paktën sipas platformës së përgatitur. Edhe sot, universitetet janë të pareformuara dhe jo të gatshme për të “strehuar” kërkimin shkencor brenda tyre. Burimet njerëzore dhe materiale të fushës së kërkimit janë jashtë universiteteve, të grumbulluara ose në disa qendra pa mision, ose përsëri nën administrimin e ministrive. Dëshira e madhe e shqiptarëve për t’iu dhënë fëmijëve diploma të vërteta është përfundimisht një iluzion dhe kërkimi shkencor në kufijtë e këtij shteti është rikthyer në gjendjen ku, ose nuk mund të kryhet, ose do të raportohet si dikur raportohej: fals, i pakryer, i gënjeshtërt.

Në vend të reformimit të sistemit të kërkimit shkencor u pranuan njëzet anëtarë të rinj në Akademinë e Shkencave dhe nën mbikëqyrjen e të huajve. Ky ishte “suksesi”, kjo ishte “reforma”. E gjithë energjia e projektuar për ndryshim nuk u shkarkua te vendosja e marrëdhënieve të reja në sistem, por te ndërrimi i njerëzve. Ky nuk është rasti i vetëm kur reforma nuk synon zëvendësimin e marrëdhënieve të vjetra me marrëdhënie që vendosin demokracinë në institucione, lidhjen e fatit të njerëzve me rezultatin që arrijnë. Kështu, sot flitet për financim të kërkimit shkencor, por ai realizohet ekzaktësisht siç realizohej njëzet vjet më parë, dhe tani në mënyrë akoma më konfuze. Rritja e financimeve, nëse ndodh, shihet si objektiv politik, ndërkohë që është thjesht një mjet që merr kuptim vetëm kur zëvendësohen metodat e vjetra ekzistuese të përdorimit të parave me modele të reja nxitëse. Politika e zëvendësimit të metodave të mësimdhënies të para ‘90 me metoda ku gravitacioni vendoset te studenti dhe jo te mësimdhënësi harrohet dhe mbytet me shifra të thata rastësore pagash. Instalimi i internetit në shkolla konceptohet si politikë, ndërkohë që ai nuk është tjetër veç një mjet për të realizuar politikën e forcimit të personalitetit të studentit dhe përgatitjes së tij për demokraci, prej së cilës edhe pas kaq vitesh jemi shumë larg. Krijimi i Këshillit Kombëtar të Arsimit të Lartë, i Akreditimit apo i Vlerësimit të Titujve konceptohen në të kundërtën e tyre, si struktura influence dhe jo si struktura përmes të cilave ndërtohet një politikë që nuk e lejon qeverinë të ndërhyjë në universitete.

Por, gjithsesi, lajmi i reformimit të Akademisë së Shkencave është një “lajm i mirë”, sepse së paku shënon përfundimin e një përpjekjeje trevjeçare për reformim, një pjesë e së cilës u zhvillua edhe në sytë e opinionit publik. Mori fund e gjithë ajo situatë nervoze, e pakëndshme, në të cilën akademikët ankoheshin se po shkatërrohej shkenca dhe më në fund, ishte pikërisht ai që bërtiste më shumë midis tyre, një ish-peshëngritës, që përshëndeti reformimin e suksesshëm të saj. Këshilltari i kryeministrit për Arsimin dhe Shkencën, ky manipulator komisionesh dhe kriteresh, një nga zanatet e fundit të shpikura në Shqipëri për të eliminuar “të padëshiruarit”, pasi shpiku edhe komisionin më të ri të panjohur më parë në kufijtë e një shteti sovran, pra një komision pa vendas, madje as miks, përkundrazi, një komision totalisht joshqiptar, e shpalli “reformimin” si sukses, veten e tij dhe qeverinë plotësisht të larë nga kjo histori e shëmtuar reformimi. Njerëzit morën frymë thellë, siç marrin sa herë që përfundon një grindje me qeverinë. Por këtë radhë duke mos ditur që nën bezen e flamurit të bardhë të “reformimit” të Akademisë së Shkencave dergjet një sistem i pareformuar, akoma më shumë, një sistem i kalbur, kalbëzimi i të cilit ka filluar kohë përpara viteve ‘90. Nën bezen e këtij flamuri dergjen universitete të pareformuara, pa mundësinë për të kryer kërkim shkencor, ndërsa ky i fundit, i shpërndarë nëpër të ashtuquajturat “qendra kërkimore”, ka mbetur pa mision, jashtë botës së konkurrencës prandaj edhe i pamotivuar, jashtë realitetit shqiptar dhe problemeve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›