E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përrallat e politikës apo politika e përrallave

Rexhep Meidani 

U bë si “modë” në politikën shqiptare të tranzicionit që të tregohen “përralla” papushim. Me moton: sa më të bukura e larg realitetit konkret, sa më shumë dhe më intensive, aq më mirë! Edhe kur po të mos besohen të gjitha, diçka do të mbetet, madje dhe do të besohet. Pra, sipas motos “gënje se diçka do të shpresohet si e vërtetë!”. Dhe ky marifet apo kjo “teknologji” përrallash të treguara është shndërruar në një patologji serioze të politikës shqiptare. Jo vetëm e thjesht për emetuesin e tyre!... Por, ama, një propagandë e tillë, një intensitet kaq i theksuar i tyre në 2-3 vitet e fundit, veçanërisht muajt e fundit është krejt i paimagjinueshëm, deri irracional në pretendimin e një të besuari apo ndikimi masiv të tyre. Sepse kot nuk ekziston shprehja në variantin më të butë: “Mos trego përralla, aq më keq, mos gënje o çun, sepse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. Madje, me një probabilitet maksimal ka prodhuar dhe nuk ka sesi të mos prodhojë efekt të kundërt...
* * *
  Kjo ishte dhe përshtypja mesatare e krijuar nga media e shkruar një ditë pas konferencës së “sforcuar” për shtyp të kryeministrit. Madje, dhe nga zëra e miq të vjetër! Dhe jo pa arsye. Përjashtim bënte media elektronike publike apo ndonjë satelite më e zëshme e saj, apo disa media të shkruara, jo vetëm partizane, por dhe të “dyshimta” në mbijetesën e tyre financiare…
  Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe! Aq më tepër kur pretendohet për rritje të parave në xhepat e qytetarëve apo ngritje të standardit të jetesës së tyre dhe ndërkohë vihet re, në mesatare, një rënie e fuqisë blerëse, në përgjithësi. Madje, një gjë e tillë vështirë të quhet indeksim page se për rritje të saj sikur nuk mund të bëhet fjalë! E megjithatë pretendohet e kundërta, kur dhe nga “goja” më e thjeshtë konsumatore emetohet thjesht e kundërta. Me fjalë të tjera, kjo lloj sjelljeje e propagande është jo vetëm mungesë respekti, deri njohjeje e “ligjeve” ekonomike, por dhe një padije matematike, sepse duket qartë që ngatërrohet vlera absolute me atë relative! E para mund të jetë makroskopike, bile dhe astronomike, por e dyta mund të reduktohet apo të shfaqet tërësisht si mikroskopike...
* * *
  Pastaj, po të bëhet fjalë për luftë të sukseshme kundër korrupsionit, kjo lloj propagande “përrallore” sikur të ekspozohet pa dashje si në atë përrallën e “Ali Babës dhe dyzet hajdutëve”. Bile, krahas shumë prapësive e abuzimeve qeveritare-administrative, në variante të ndryshme të shfaqet menjëherë para syve shpërthimi “bërthamor” i Gërdecit dhe krimi i shtetit kundrejt qytetarëve të tij. Dhe kaq mjafton që të heshtësh, madje të skuqesh përpara ekranit!...
* * *
 Mund të vazhdohet më tej dhe me çmimin abuziv të naftës, kur në të gjithë botën, me ndryshimet e fundit të saj në bursë, po ndodh krejt e kundërta. Apo me rritjen e energjisë elektrike, duke ja kaluar të gjithë importin e saj dhe, mbi të gjitha, mospagesën e energjisë, veçanërisht nga “zona militante”, vetëm qytetarëve të rregullt. Dhe kjo kur gjatë 3 vjetëve të fundit janë deklaruar, pretenduar, bile dhe firmosur lloj-lloj projektesh energjetike. Pse jo dhe bërthamore! Bile, në të njëjtën kohë kur Instituti i Fizikës Bërthamore jo vetëm u përgjysmua në personel, por dhe u reduktua në një sektor apo grup fare modest brenda Fakultetit të Shkencave të Natyrës...
* * *
  Nëse dhe këto tregime “përrallore” janë të justifikueshme nga një pjesë e politikës apo shumicës qeverisëse, ndërkohë që nga goja udhëheqëse e saj quhen suksese madhështore, po i rikujtojmë asaj problemin e mprehtë me deficitin buxhetor të rritur gati me dyfish në vitin e fundit apo deficitin tregtar që po merr përmasa tepër të rrezikshme. Aq më shqetësues mbetet mbajtja e kontrollit në lidhje me treguesin e inflacionit. Sidomos kjo kur, në një kohë që “yield”-i i bonove të thesarit mbahet në vlerat e afro 8%, interesat e depozitave, për lekun, po kapin, në mënyrë “promocionale”, gati 10%!...
  Akoma më shqetësuese mund të ekspozohen problemet e “shkëmbimeve në natyrë” në shumë sektorë, sidomos në sektorin e ndërtimit. “Real estate” shqiptar, në muajt e ardhshëm, ka mjaft mundësi të goditet jo pak. Jo thjesht dhe vetëm si pasyrim i asaj që po ndodh dhe në vende të tjera, por dhe si pasojë e gabimeve të rënda në politikat e zbatuara. Pa harruar aty dhe “filtrin” e dobët bankar në kreditime të ndryshme..
* * *
 Për të mos vazhduar më tej dhe lodhur lexuesin, mund të kuptohet pa vështirësi se, në shumë drejtime, zhvillimet ekonomike të muajve të fundit nuk kanë qenë fare korregjuese e premtuese për një ecje të qëndrueshme. Më e keqja është se duke treguar përralla me “heroizma” e suksese, por dhe duke i vetë-besuar ato, po humbet një kohë tjetër e çmuar për të normalizuar situatën, sidomos për të shmangur më të keqen, që vazhdon të trokasë në derën e ekonomisë shqiptare, sepse në xhepat apo shtëpitë e konsumatorëve shqiptarë ajo është tashmë brenda...
Dhe më kryesorja, mjaft më me këto lloj fyerjesh të inteligjencës së shqiptarëve!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›