E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncuesi i realitetit

Idetë e provokojnë mendjen si gjuha klitorisin. Ky është një varg i shkëputur nga një poezi. Nëse mendoni se kjo poezi është e ndonjë poeti romantik anglez apo gjerman nuk ia keni qëlluar. Autor i saj nuk është as Bukovski as Ginsberg e as ndonjë poet i gjeneratës Beat. Autor i saj është Arben Idrizi, poet dhe përkthyes.

Ai sapo ka nxjerrë nga shtypi librin e tij të dytë me poezi, i cili titullohet Libri i të qenit. Ky libër është botuar nga revista MM në bashkëpunim me Qendrën për Studime Humanistike Gani Bobi në Prishtinë dhe u promovua në librarinë Dite Nat. Fjalën promovuese, me këtë rast, e mbajti poeti Xhevdet Bajraj, i cili jep lëndën Letërsia e Europës Juglindore në njërin prej universiteteve në Mexico City, ndërsa edhe të pranishmit patën mundësi të diskutojnë, të shtrojnë pyetje apo të japin ndonjë koment.

Derisa përjashta shpërthenin fishekzjarrët, që paralajmëronin fundin e kiç fushatës së filan partie, e që në njëfarë mënyrë çukisnin në kokë të njerëzve sikur donin të thoshin se duhet patjetër ti kemi në qendër të vëmendjes vetëm politikanët e asgjë tjetër, brenda në librari, në një ambient të ngrohtë, ku cakërroheshin gotat e mbushura me verë të shijshme, flitej për një poet i cili, në shumicën e poezive të tij, i ka çuar në rrotë të samës të gjitha pushtetet e deritanishme.

Duke cituar disa mendime të shkrimtarëve botërorë, poeti Xhevdet Bajraj, tha se ne shqiptarët e kemi zakon të themi se vaji është kënga e burrit. Ndërsa duke folur për autorin e librit, Bajraj tha se ai nuk qan por thjesht e denoncon një realitet jo aq të mirë në Kosovë.

Përmbledhja me poezi e Arbenit hapet me një poezi, që mua më ka pëlqyer jashtëzakonisht, e cila mban një titull midis të të ekzekutuarve qe edhe një i sëmurë mental, ku figura që më ka pëlqyer aty është figura e gjelit, ku një ushtar e fut gjelin në një kovë të kthyer mbrapsht e hap një vrimë dhe vënë bast ushtarët se cili do ta qëllojë gjelin në kokë, por asnjëri ushtar nuk arrin ta qëllojë. Mirëpo gjeli përfundon nga një granatë që vjen prej tankut. Ndoshta është e tepërt të flas për simbolikën e gjelit në traditën tonë, por për mua është një hapje shumë e mirë e librit, u shpreh Bajraj.

Poezinë e Idrizit, Bajraj e konsideroi si të ndryshme, me ndonjë përjashtim aty këtu, nga poezia që jemi mësuar ta lexojmë deri më tani. Ai shtoi se poezia e Idrizit arrin të komunikojë lehtë me lexuesin. Poezia e Arbenit mund të komunikojë me të gjitha llojet e elitave, pasi që ne e kemi elitën intelektuale dhe elitën që identifikohet me elitë, duke iu falënderuar llogarisë bankare, theksoi Bajraj. Poezia e Arbenit, sipas Bajrajt, na dëshmon më së miri arsyen se për çka i nevojitet njeriut poezia.

Duke perifrazuar një mendim të shkrimtarit irlandez Bernard Shaw, i cili në pyetjen nëse vërtetë beson se Bibla është vepër e Shpirtit të Shenjtë, ai përgjigjet se jo sall Bibla por secili libër që meriton të rilexohet është vepër e Shpirtit të Shenjtë, Bajraj tha se edhe pse poezia e Arbenit bart një dramë në vete, kur e lexojmë atë kemi përshtypjen se ai shkruan shumë lehtë dhe arrin ta realizojë atë që e bartë përbrenda, dramën jetësore, e cila nuk është e pakët në rastin e Arbenit.

E shkruar në varg të lirë, ka raste kur në përmbledhje hasim edhe në prozë poetike. Bajraj tha se Arbeni ballafaqohet si me vetminë, e cila e përcjell atë në poezi po ashtu edhe me realitetin e vrazhdët. Arbeni ballafaqohet me të dyja shumë mirë, i dominon ato, realitetin e denoncon ndërsa me vetminë është si i familjarizuar, ndihet komod dhe është fushë që e njeh mirë dhe e cila shpesh i shërben Arbenit për të shkruar poezi reflektive apo të dashurisë, u shpreh ai.

Libri i të qenit është i ndarë në gjashtë pjesë apo, siç i ka titulluar autori, periudha. Vetë autori tregoi se renditja e tyre është bërë në mënyrë kronologjike, duke filluar që nga viti 2002 e këndej. Të pranishmit filluarin ti bënin pyetje, ndërsa ai, duke kruar mjekrën, përgjigjej dalëngadalë. Ai së pari e falënderoi botuesin e librit, Shkëlzen Maliqin, i cili e ka botuar edhe librin e parë të tij me titull Heqakeq, e po ashtu e falënderoi edhe referuesin Xhevdet Bajraj, i cili, siç u shpreh ai, nuk përton tia lexojë poezitë. Në pyetjen se çfarë librash lexon, Idrizi u përgjigj se lexon shkrime filozofike prej Platonit e këndej. Për këtë arsye, ndoshta filozofët kanë ndikuar që ai të mbajë mjekrën sikurse e kanë mbajtur dhe e mbajnë shumica e filozofëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›