E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë posterash: Nga Revolucioni Paqësor tek Bashkimi i Gjermanisë

Nga Milena Selimi

Tiranë, 12 Nëntor NOA-Në ambientet e Ambasadës  Gjermane është  hapur ekspozita Nga Revolucioni Paqësor tek Bashkimi i Gjermanisë, një ekspozitë posterash që prezanton fakte dhe prapaskena të ndodhive nga vera e vitit 1989 deri në ribashkimin e Gjermanisë më 3 tetor 1990.

Fotot dhe tekstet  hedhin një vështrim prapa në momente prekëse të historisë gjermane. Ekspozita u përpunua nga fondacioni Për zbardhjen e historisë së  diktaturës së SED-it (Unionit Socialist Gjerman) së bashku me fondacionin  jofitimprurës Hertie.

Ajo sjell në kujtesë protestat kundër manipulimit  të zgjedhjeve vendore të majit në RDGJ, arratisjet e verës dhe protestat  masive në vjeshtë 1989.

Posterat informojnë mbi demokratizimin e RDGJ-së, solidaritetin gjermano-gjerman dhe hedhjen e shinave të  politikës së jashtme deri në arritjen e bashkimit të Gjermanisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në  ambientet e Ambasadës Gjermane  deri  më 20 nëntor.

Mund të vizitohet nga publiku nga e hëna  deri të enjten, ora 14.00 -- 16.00.

m.i/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›