Departamenti i Historisë me laborator të ri digjital

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Në një ditë simbolike si 7 Marsi, Festa e Mësuesit, u përurua laboratori i ri digjital i Departamentit të Historisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, një investim i rëndësishëm në kuadër të projektit EduGame.
Ky laborator modern synon të integrojë teknologjinë digjitale në studimet historike, duke krijuar një hapësirë të avancuar për mësimdhënie interaktive dhe kërkime shkencore.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prof. dr. Mark Marku, zëvendësdekani prof. dr. Sezai Rrokaj, administratorja e Fakultetit, Parashqevi Pogaçe, përgjegjësja e Departamentit të Historisë, prof. dr. Valentina Duka, si dhe stafi akademik dhe studentë.
Ky investim i rëndësishëm përkon me përkushtimin e vazhdueshëm për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Departamenti i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në një postim në rrjetet sociale falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti.
“Urojmë që ky laborator të shërbejë si një burim i çmuar për studentët dhe pedagogët në rrugëtimin e tyre akademik”, thuhet në postim.
1 nga 8/k.s//r.e//a.f/