Departamenti i krimeve të rënda nxirret nga gjykata

Gjykata Themelore e Prishtinës është fokusuar sërish vetëm në rastet emergjente. Gjyqtarët e Departamentit të krimeve të rënda janë nxjerrë jashtë nga objekti për shkak të rinovimit. Nga tre gjyqtarë janë futur në një zyrë. Kështu do të vazhdojë të paktën tre muaj.
Dhjetë gjyqtarë janë nxjerrë nga ambientet e punës këtë javë, ata janë dërguar në objektin e Gjykatës Themelore, dhe janë vendosur në zyra të përbashkëta me nga një apo dy gjyqtarë të tjerë, shkruan Koha Ditore.
Nuk kanë vend as ku të ulen, për këtë arsye ata po punojnë vetëm për rastet emergjente siç janë paraburgimet.
Ata janë nxjerrë nga aty për shkak se objekti i Gjykatës supreme ku ka qenë i vendosur ky departament ka nisur të rinovohet në kuadër të programit të “Gjykatave model” të financuar nga Qeveria Amerikane.
Renovimi i gjykatës ka nxjerrë jashtë edhe kryetarin e Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani. Atij i është përshtatur një zyrë në ndërtesën e Prokurorisë së shtetit./Indeksonline/