E Diel, 1 Nëntor 2026

Depërtim pa forcë

Qeveria e Kosovës thotë se nuk do të përdorë forcën për implementimin e një strategjie, e cila është duke u hartuar për integrimin dhe funksionimin e shtetit edhe në Veriun e Kosovës, të banuar më shumicë serbe.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha Radios Deutsche Welle se të gjitha pikat e kësaj strategjie - fuqizimi i sundimit të ligjit, reformimi i pushtetit lokal, instalimi i qeverisjes lokale edhe në tri komunat e tjera veriore të Kosovës, si dhe përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike me investime të veçanta - do të implementohet paralelisht.

Në fokus të veçantë të kësaj strategjie të hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, sipas tij, është krijimi i Komunës së re të Mitrovicës së Veriut. Grupi Koordinues për Komunën e Veriut tashmë është formuar dhe në të janë të përfshirë edhe serbët lokalë.

“Duket që perceptimi po ndryshon. Në këtë kuadër në po punojmë me popullatën lokale, me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, por ne kërkojmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare që t'i bëjë presion pozitiv Beogradit që mos të ndërhyjë te serbët e Kosovës, në veçanti në Veri që të krijojë iluzionin që ata të mos integrohen në institucionet e Kosovës”, tha Kuçi.

Beogradi që nga paslufta financon dhe mbështet strukturat paralele serbe në Veri. Vetëm për vitin 2010 ka ndarë një buxhet prej 42 milionë eurosh. Por, synimi i strategjisë së Kosovës për Veriun e vendit është shuarja e këtyre strukturave.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, nuk dëshiron të flasë shumë për strategjinë për Veriun, sepse sipas tij, dokumenti akoma nuk është final, mirëpo në një konferencë për media, në vija të trasha ai kishte shpjeguar se Zyra Civile Ndërkombëtare nuk i njeh strukturat paralele serbe në Veri, por njeh vetëm institucionet legjitime të Republikës së Kosovës.

Ndërsa përfaqësues të qeverisë në Beograd, kanë thënë se Strategjia e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për Veriun, nuk mund të zbatohet pa biseduar me autoritetet e Beogradit - mundësi që hidhet poshtë nga Zëvendëskryeministri Kuçi.

“Beogradi dhe Qeveria e Kosovës mund të luajnë rol pozitiv për zhvillimet që ndodhin në rajon, por asnjëra prej dy kryeqendrave nuk ka fuqi dhe nuk do të lejojmë që të bëjmë ndërhyrje të brendshme te njëri-tjetri”, tha Kuçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›