Lavdërojnë veten
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme të mërkurën ka shqyrtuar raportin e tij të punës për vitin 2009, me ç’rast ka konstatuar se, si rezultat i punës së tij, “janë shënuar një sërë suksesesh gjatë vitit të kaluar”.
Në një komunikatë për media, ky komision - që udhëhiqet nga Sabri Hamiti - thotë se ka dhënë kontribut të madh në promovimin e demokracisë parlamentare, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Kosovës dhe vendeve të tjera, si dhe në krijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Komisioni ka shqyrtuar dhe amendamentuar projektligjet nga fushëveprimi i tij si komision funksional dhe ka luajtur me sukses rolin e kontrollit parlamentar ndaj sektorit që e mbulon. Në raport theksohet roli i Komisionit në themelimin e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe të rrjetit diplomatik të Kosovës, në mbikëqyrjen veprimeve të Qeverisë në planin e politikës së jashtme, promovimin e diplomacisë parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe bashkëpunimin me komisionet homologe të parlamenteve të vendeve të tjera”, thuhet në një komunikatë për media të Parlamentit të Kosovës.
“Në funksion të realizimit të politikës së jashtme sa më të suksesshme të vendit tonë dhe përmbushjes së sfidave në këtë plan që dalin nga Raporti i Progresit të Komisionit Europian për Kosovën, Komisioni ka pasur takime të shpeshta me Zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni”, vazhdon komunikata.
Ndryshe, në mbledhjen e së mërkurës, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka kërkuar nga Ministria e Jashtme informatë lidhur me organizimin, funksionimin dhe përbërjen kadrovike të misioneve diplomatike të Kosovës.