E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat me naftë në Durrës, 1 milion euro për arbitrazhin

Ard Kola

Sanksionet

Qeveria vijon të paguajë në gjykatat ndërkombëtare për prishje kontratash 

Qeveria shqiptare është duke paguar fatura të kripura për shkak të prishjes së njëanshme të kontratave

depozita naftePrishjet e njëanshme të kontratave me kompanitë private po i kushtojnë shtrenjtë arkës së shtetit, ndërkohë të tjera fatura me vlerë të lartë rrezikojnë të paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Rasti i fundit regjistrohet me shoqërinë greke Mamidoil Jetoil Greek Petroleum, me të cilën Shqipëria është në arbitrazh. Për këtë çështje, qeveria i ka akorduar dje, Ministrisë së Drejtësisë, 122500 euro, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr. ARB/11/24 në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet (ICSID).

Ky është kësti i pestë, që në total kap vlerën e 1 milion eurove vetëm për këtë rast, pasi qeveria ka paguar deri më tani për avokaturën e shtetit edhe 1 milion euro të tjera sa i takon prishjes së kontratave me projekte të ndryshme, kryesisht në sektorin e hidrokarbureve. Këto fonde janë duke u përballuar nga rezerva e qeverisë.

Rasti me Mamidoil i referohet çështjes së depozitave të naftës në Portin e Durrësit, ku pavarësisht se kontratës 15-vjeçare që shoqëria greke kishte me qeverinë shqiptare, kjo e fundit lëshoi vendimin në vitin 2007 për ti hequr prej aty dhe për ti zhvendosur në Porto Romano, zonë industriale, sërish pranë Durrësit dhe afër bregdetit, por larg qendrave të banimit.

Bashkë me Mamidoil, depozita nafte dhe gaz kishin edhe dy shoqëri të tjera, edhe këto greke, të cilat e kanë çuar çështjen në arbitrazh për prishjen e njëanshme të kontratës. Kompanitë ishin kundër zhvendosjes së depozitave me kosto të tyre dhe kërkuan dëmshpërblim nga qeveria shqiptare, në vlera disa milionë euro, kërkesë kjo që u refuzua. Sa u takon çështjeve të tjera, vetëm nga prishja e kontratës me shoqërinë e naftës Sky Petroleum, për kërkimin hidrokarburesh, qeveria rrezikon të penalizohet me 1 miliard dollarë.

A.K

Depozitat me naftë në Durrës, 1 milion euro për arbitrazhin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›