Depozitohet në Kuvend kërkesa për komision hetimor për incidentin e Vjenës
Deputetët e Partisë Demokratike kanë mbledhur numrin e nevojshëm të firmave për të ngritur një komision hetimor për incidentin e Vjenës, mes kryetarit të opozitës, Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.
Pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha në Kuvend se do ketë një hetim parlamentar për këtë ngjarje, deputetët demokratë nuk kanë vonuar që të mbledhin firmat për hetimin.
Edhe pse komisionet hetimore kanë rezultuar një fiasko, kryeministri Sali Berisha nuk është tërhequr, pasi e cilëson këtë një ngjarje shtazarake.
Egin Ceka, djali i Neritan Cekës, thotë se Rama e ka dhunuar, duke i tërhequr veshin. Kurse kryeministri Sali Berisha ka shkuar më larg në Kuvend, duke thënë se Rama e ka goditur me grushta.
Organizatori shqiptar i këtij eventi, Fatmir Velaj, thotë se Egin Ceka është afruar privatisht pas takimit në Akademinë Diplomatike të Vjenës dhe e ka kapur për mënge Ramën, duke e ofenduar. Ai thotë se nuk ka pasur tërheqje veshi nga ana e Ramës.
Kurse organizatorët austriakë thonë se nuk kanë dijeni për ndonjë incident.
Çështja në fjalë pritet që të përdoret shumë në këtë fushatë elektorale, ndërkohë që kryetari i PS, Edi Rama, është pritur si një kryeministër në Vjenë, duke takuar presidentin dhe zyrtarë të lartë, që kanë shprehur besimin se ai do fitojë zgjedhjet. Rama u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE./ep