Depresioni çon në vetëvrasje një 27-vjeçare
TIRANË- Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës kur Miranda Sulçe 27-vjeçe, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë kur ishte dërguar pasi u gjet në gjendje të rëndë nga familjarët e saj. Mjekët saktësuan se Sulçe gjeti vdekjen pasi kishte konsumuar fostoksinë. 27-vjeçarja u gjet në grahmat e fundit të jetës së saj në banesë që ndodhet në Qesarak të kryeqytetit. Familjarët e saj u përpoqën t'i jepnin ndihmën e parë dukee transportuar menjëherë në spitalin Ushtarak. Por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, nëna e dy fëmijëve nuk mundi t'i shpëtonte dot vdekjes, pasi helmi që ajo kishte konsumuar e kishte dhënë efektin fatal. Ndërkohë që fill pas vdekjes së Sulçes, mjekët njoftuan policinë e cila nisi menjëherë hetimet. Efektivat blu morën në pyetje familjarët e së ndjerës me qëllim zbulimin e shkaqeve që e detyruan atë t'i jepte fund jetës. Pas hetimeve të para, policia bëri me dije se viktima prej kohësh ishte mbërthyer nga një gjendje depresioni gjë e cila dyshohet ta ketë shtyrë atë në vetëflijim. Dy net më parë e reja ka shfrytëzuar pavëmendjen e pjesëtarëve të familjes për të pirë helmin. Ajo është diktuar prej tyre disa çaste më vone teksa shkumëzonte dhe jepte pak shpresa për të jetuar. Burimet policore thanë se hetimet për të zbardhur me saktësi këtë ngjarje po vazhdojnë ndërsa materialet i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.