Tre ditët e fundit të fabrikës që solli tragjedinë
Çfarë ndodhi nga e enjtja deri të shtunën e shpërthimit në Gërdec. Sa kanë punuar këta njerëz në orët e fundit
TIRANË- Çdo ditë që kalonte situata bëhej edhe më e vështirë për punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Gjatë kësaj kohe "Llogaritari" vazhdonte të shënonte emra njerëzish, sasi predhash dhe paratë që duhet të merrte secili prej tyre. Çdo ditë ai ka bërë të njëjtën punë deri kur shpërthimi i datës 15 mars ia la përgjysmë. "Shekulli" do të tregojë në mënyrë të detajuar se si është punuar në tre ditët e fundit në fabrikën e Gërdecit dhe mënyrën e pagesës së punëtorëve për këtë periudhë kohe.
13 mars (e enjte)
Data 13 mars ka qenë një ditë normale pune për të gjithë fatkeqët e fabrikës së Gërdecit. "Llogaritari" e ka nisur ditën e tij të punës duke shënuar në librin e zi datën, 13.3.08. "Punëtorët. 20. Ata do të paguhen nga 650 deri në 1500 lekë për këtë ditë pune. Pastrimi i territorit 25 njerëz. Grupi i pastrimit të gëzhojave, 11 gra. Ato do të paguhen me një mijë lekë për punën e kryer". Këto janë shënimet e para në librin e zi për datën 13 mars 2008, ditë e enjte. Më pas nis puna e vërtetë, hapen arkat e vdekjes. Tetë grupe pune të përbërë nga tre persona secili vihen në punë. Janë 24 punëtorë që rrezikojnë jetën. Lista vazhdon me grupet e çmontimit të predhave, grupet e hapjes së barutit, specialistët.. Janë 129 njerëz në punë, 129 jetë në rrezik. Për fat të mirë këtë ditë nuk ndodh gjë. Njerëzit mbarojnë punën si zakonisht, marrin paratë si zakonisht.
14 mars (e premte)
E njëjta situatë paraqitet edhe një ditë më pas. Njerëzit vijnë në punë si zakonisht. Nisin detyrat e tyre. Kush merret me arkat, dikush hap demontimin e predhave barutin e të tjerë nisin punën e përditshme me barutin. Janë 77 njerëz atë ditë në punë. Të paktën kështu thonë shënimet e "Llogaritarit". Askush nuk e di nëse atë ditë ka pasur fëmijë në punë. Në fund të ditës këta njerëz kanë mbaruar punën e tyre si zakonisht. Ata kanë hapur arkat me predha, kanë hapur predha, janë marrë me barut e tritol, kanë rrezikuar jetën e tyre. Por dikush këtë ditë nuk ka punuar. Dikush ka lënë punën përgjysmë duke i ngrënë hakun atyre njerëzve që kanë rrezikuar jetën. Ai është "Llogaritari". Ka shënuar në libër sa predha, sa barut, sa arka, sa ka punuar gjithsecili por nuk ka shënuar asgjë në kolonën e parave që duhet të marrin këta njerëz. "Secili duhet të paguhet nga...; Secili duhet të paguhet nga...; Secili duhet të paguhet nga...", e kështu vazhdon pafundësisht lista për pagesat e punëtorëve. Ata nuk janë paguar për këtë ditë. Ndoshta "Llogaritari" ka preferuar që të vazhdojnë fundjavën e tij, në fund të fundit është e premte.
15 mars (e shtunë)
Baltë. Asgjë tjetër përveç baltës. Libri është bosh. Është dita e shpërthimit. Dita më e zezë e këtij vendi dhe ajo është bosh. Sërish "Llogaritari" nuk e ka bërë punën e tij. Ndoshta këtë herë nuk ka faj. Në mesditë ndodhi gjëma. Ai iku me vrap. Ishte ndër të parët që rendën me sa u kishin këmbët. Rendi aq shumë për të shpëtuar kokën e tij sa harroi të merrte me vete edhe librin e zi. E la pas në mes të rrënojave, ndoshta e kujtoi të djegur, ndoshta kujtoi se shpëtoi nga fantazmat e atyre njerëzve të cilët i ka shfrytëzuar në mënyrën më të pamëshirshme të mundshme.