Depresioni, vret veten 65- vjeçari
TIRANË- Depresioni çon në vetëvrasje një 65-vjeçar në kryeqytet. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme kur Behar Sevdari është vetëvrarë me pistoletë në vendstrehimin e tij pranë shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Të parët që kanë konstatuar burrin e vrarë lajmëruan menjëherë policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e vetëflijimit. Burime nga policia thanë se 65-vjeçari Sevdari jetonte i vetëm pasi ishte divorcuar nga bashkëshortja e tij kohë më parë. Ai kishte dy vajza të cilat ishin martuar por edhe ato patën të njëjtin fat si prindërit e tyre duke u divorcuar nga bashkëshortët. Fati i tij dhe i bijave kishte ndikuar jo pak te 65-vjeçari i cili kishte kaluar në gjendje depresioni. Burimet policore thane se dyshohet që ditën e djeshme doza e depresionit të Sevdari të jetë shtuar duke e shtyrë atë të ndërmarrë dhe aktin fatal. Ai ka qëlluar veten me një plumb duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia sekuestroi armën me të cilën qëlloi veten Sevdari ndërsa trupi i tij u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Më pas oficerët e policisë morën në pyetje familjarët dhe të afërmit e të ndjerit për të sqaruar me saktësi shkakun që detyroi atë ti jepte fund jetës.