E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxha: Vrava gruan dhe komshiun për moral

Halim Shehu pranoi në gjykatë vrasjen e dyfishtë duke treguar konfliktin për pronën dhe dyshimet për gruan

TIRANË- Gjykata e Tiranë ka vendosur të lërë në qeli plakun 70- vjeçar Halim Shehu, i cili akuzohet për vrasjen e gruas dhe fqinjit të tij. Sipas kërkesës së prokurorit, Shehu duhet të qëndrojë në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundim të hetimeve, pasi lirimi i tij përbën rrezik të lartë shoqërore. Pas kësaj kërkese, avokati mbrojtës i të pandehurit Shehu nuk ka preferuar të flasë në lidhje me krimin, por ka kërkuar që të lirohet me një masë më të ulët të sigurisë për shkak të moshës së tij të vjetër. Ndërkaq, vetë i pandehuri Shehu gjatë fjalës së tij, është shprehur se “po jam unë ai që e kam kryer vrasjen. E mora këtë vendim pasi kisha konflikte me komshiun Bexhet Xhabrahimi për një tokë ku janë ca ullishte të mbjella si dhe dyshoja për moral tek bashkëshortja ime, pasi mendoj se kishte një lidhje mes tyre sepse gjithmonë gruaja e mbronte Xhabrahimin në debate që kam pas me të”,- mësohet të ketë thënë 70- vjeçari Shehu para gjykatës. Ndërsa, jashtë dyerve të gjykatës nuk ndodhej asnjë familjar i plakut 70- vjeçar që ndodhej brenda sallës së gjyqit për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë. Pas dëgjimit të këtyre pretendimeve, gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi të lërë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” 70- vjeçarin deri në përfundim të hetimeve. Sipas prokurorisë, vrasja ka ndodhur tre ditë më parë, pranë hyrjes kryesore të banesës së 70 -vjeçarit, gjatë kohës që komshiu Bexhet Xhabrahimi po hynte në banesën e familjes Shehu me kërkesë të këtij të fundit për të rënë dakord për vjeljen e ca ullinjve që ishin të mbjella pranë shtëpive të tyre. Por, sapoi është afruar derës së hyrjes Shehu ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar Xhabrahimin duke e lënë të vdekur dhe në kohën që bashkëshortja e tij po tentonte të ndërhynte për të mos qëlluar, plaku 70 -vjeçar tërheq këmbëzën edhe në drejtim të saj duke e qëlluar në kokë. Goditje këto që i kanë lënë të vdekur menjëherë dy të moshuarit në lagjen Sauk të poshtëm në periferi të kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›