Festa e Çlirimit, Garda bojkoton ceremoninë
Për ceremoninë në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” është thirrur të kujdeset Policia Bashkiake
Asnjë nga drejtuesit e mazhorancës qeverisëse nuk kanë marrë pjesë në festimet me rastin e 28 Nëntorit, ditën e çlirimit të vendit
Megjithëse njihet me ligj si dita e Çlirimit të Vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, dhe në kalendar shënohet me të kuqe si një festë zyrtare kombëtare, 29 Nëntori vazhdon të injorohet nga një pjesë e mirë e klasës politike shqiptare, e cila mbështet tezat se vendi u çlirua më 28 Nëntor. Ashtu si edhe vitet e tjera, kjo ditë është festuar vetëm nga të majtët dhe është bojkotuar pothuajse në mënyrë totale nga e djathta në pushtet. Bojkoti ka ardhur jo thjesht dhe vetëm për shkak se asnjë nga zyrtarët e lartë të së djathtës nuk kryen dhe organizuan asnjë veprimtari në nderim të veprës së atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e vendit, por se as strukturat shtetërore të ngarkuara nga ligji për t’u kujdesur për nderimet e rastit për këtë ditë, siç është edhe Garda e Republikës, nuk denjuan të kryejnë detyrën e vet.
Garda
Për të dytin vit radhazi partive të opozitës iu është dashur të kujdesen vetë për të gjithë organizimin e festimeve të ditës së çlirimit të vendit, pasi protokolli i shtetit nuk ka marrë përsipër të realizojë asnjë prej detyrimeve të tija ligjore. Kështu, megjithëse ligji përcakton që për të gjitha festat zyrtare, për të cilat kërkohen të organizohen ceremoni të veçanta, siç është edhe festa e 29 Nëntorit, strukturat shtetërore nuk kanë marrë përsipër asgjë. Në këtë mënyrë edhe ceremonia e djeshme e kryer në Varrezat e Dëshmorëve si homazh për të rënët e Luftës së Dytë Botërore është zhvilluar pa një protokoll shtetëror. Në të kanë munguar edhe forcat e Gardës së Republikës që në të tilla raste janë të ngarkuar të mbajnë kurorat me lule apo edhe të bëjnë roje-nderi pranë memorialit “Nënë Shqipëri”. Për këtë arsye drejtuesve të lartë të opozitës u është dashur që të angazhojnë Policinë Bashkiake, e cila ka kryer nderimet e rastit. Ndërsa për ekzekutimin himnit kombëtar dhe luajtjen e muzikës së ceremonialit me këtë rast ishte thirrur banda frymore e qytetit, ndërsa edhe këtë rol duhet ta lunte banda frymore e ushtrisë.
Opozita
Pavarësisht pengesave ceremoniale opozita ka mundur që të kryejë të gjitha detyrimet e saja në nderim të kujtimit të të rënëve në përpjekje për çlirimin e vendit nga pushtuesi përgjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. 29 Nëntori ka mbledhur së bashku në varrezat e Dëshmorëve të Kombit kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, kreun socialdemokrat Skënder Gjinushi dhe kryetarin e PDs-së, Paskal Milo, dhe qindra veteranë dhe dëshmitarë të ngjarjeve dhe përpjekjeve të atyre viteve, të cilët kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në nderim të veprës së tyre. Nderim për të rënët në këtë ceremoni kanë shprehur dhe anëtarë dhe figura të PS, si shkrimtari Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi e Rexhep Meidani, përmes vënies së kurorave me lule në shenjë respekti për të gjithë jetët e humbura në luftën për çlirim. I pari që ka vendosur kurorën me lule ka qenë kryetari socialist, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kreu i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, Gramoz Ruçi. Më pas të gjithë drejtuesit e tjerë të lartë të opozitës si dhe qytetarë të pranishëm kanë ndjekur të njëjtin ritual, ndërsa kanë festuar më pas të gjithë së bashku në një takim të organizuar nga kreu socialist Edi Raman në një nga lokalet e kryeqytetit.
Kreu socialist ka shtruar një drekë me veteranë nga e gjithë Shqipëria. Kanë marrë pjesë dhe Agolli dhe Meidani
Rama: E shkuara, jo arsye për të vrarë të ardhmen
Kreu socialist Edi Rama ka zgjedhur të respektojë heshtjen në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” dhe ka preferuar një drekë me veteranë dhe dëshmitarë të kohës së çlirimit të vendit për të përcjellë mesazhin e vet me rastin e kësaj dite me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë. Për këtë qëllim Rama ka thirrur në një takim të veçantë festiv veterane dhe veteranë nga e gjithë Shqipëria në kujtim dhe nderim të veprës së tyre. Një takim i cili u hap me Himnin e Flamurit dhe vazhdoi me këngën "Për ty Atdhe" në një atmosferë miqësore, ku natyrisht u sollën plot kujtime nga lufta për çlirimin e Shqipërisë, por dhe me ide për të ardhmen. Duke hapur takimin kryesocialistit Rama, ndër të tjera vuri theksin tek një bashkim i të gjithë shqiptarëve përtej dasive të së shkuarës, në emër të së ardhmes së fëmijëve, pavarësisht nëse janë fëmijë socialistësh apo demokratësh. “Besoj se në këtë periudhë kur vendi ynë vazhdon të gjendet në udhëkryqin e problemeve të vjetra dhe ndërkohë kërkon zgjidhje të reja, është koha që të gjithë së bashku t'i japim jetë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për një bashkim të ri, i cili duhet të ketë në themelet e veta këtë idealizëm dhe këtë patriotizëm, që nuk është deklamim, që nuk është slogan, që nuk është kapardisje e aq më pak, nuk është një arsye për kacafytje mes shqiptarësh e shqiptaresh, pavarësisht bindjeve, ideve dhe qëndrimeve të ndryshme, por që është arsyeja më madhore pse ne duhet të shohim te njëri-tjetri energji dhe fuqi të domosdoshme për ta pasuruar më shumë jetën tonë pluraliste”, - tha kreu i PS-së Edi Rama gjatë këtij takimi, ku kanë marrë pjesë edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli apo edhe ish-presidenti Rexhep Meidani. Duke prurë dy histori të ndryshme nga familjarët e vet të cilët patën dy funde të hidhura, pasi njëri u vra gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe tjetri nga regjimi komunist, Rama ka theksuar se arsyet që ndanë shqiptarët gjatë kësaj lufte nuk duhet të shërbejnë si shkak për të ndarë edhe sot. “Arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën, nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen. Në emër të së ardhmes, ne duhet t'i bashkojmë të gjitha energjitë tona, duke parë tek njëri-tjetri një arsye për të shpresuar, dhe jo një arsye për t'u dëshpëruar. Një arsye për t'u respektuar, dhe jo një arsye për t'i treguar njëri-tjetrit ato anë të papëlqyeshme të natyrës njerëzore, të cilat politika e vjetër shqiptare i ka nxjerrë në pah, në një skenë ku në vend që njerëzit të diskutojnë për të mirën e atyre që përfaqësojnë, rëndom kacafyten thjesht për karriera dhe privilegje personale”, - theksoi Rama.
Meta: Mungesa e protokollit, turp për shtetin shqiptar
As 29 Nëntori, festa e çlirimit të vendit nga pushtuesit, nuk ka zbutur zemërimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kundrejt partive të tjera të opozitës. Ky zemërim duket se ka detyruar krerët e kësaj partie që të mos i bashkëngjiten festimeve zyrtare të organizuara nga pjesa tjetër e opozitës, por të festojnë të vetëm. E ndërsa mbajtja e ceremonisë nga përfaqësuesit e opozitës ishte lajmëruar të mbahej në orën 11, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar dhe nga krerët e tjerë të kësaj force, janë paraqitur në varrezat “Dëshmorët e Kombit“ 30 minuta më parë për të kryer shpejt e shpjet nderimet e rastit. Menjëherë pasi ka vendosur kurorën me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” Meta përcolli dhe një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët që e festojnë këtë ditë. “Në këtë ditë të madhërishme dua të shpreh në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe njëkohësisht për të gjithë veteranët, për të gjitha familjet e tyre dhe familjet e dëshmorëve të kësaj lufte. Njëkohësisht i siguroj që Lëvizja Socialiste për Integrim mbështetet fort tek vlerat e luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, për të luftuar për progresin e vendit tonë, të popullit tonë dhe për t’i dalë gjithmonë në krah mbrojtjes së lirisë të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - tha Meta. Ai nuk ka ngurruar të shprehë keqardhje dhe për mungesën e një ceremoniali shtetëror të organizuar nga protokolli i shtetit për këtë ngjarje, duke e cilësuar këtë fakt si një turp për shtetin. “Na vjen keq që ceremonitë e 28 dhe të 29 Nëntorit, sidomos të 29 Nëntorit, tregojnë një mungesë serioziteti të shtetit shqiptar, pasi kjo është një festë kombëtare dhe nuk ka një protokoll të unifikuar, gjë që është një turp për shtetin tonë”, - tha Meta.