Deputet të BE letër KiE për datën e negocatave për Maqedoninë
Dhjetë eurodeputetë nga tetë vende anëtare të Bashkimit Europian, në mesin e të cilëve edhe raportuesi special i Parlamentit Europian për Maqedoninë, eurodeputeti slloven Zoran Taler i kanë dërguar një letër Këshillit Europian, ministrave të jashtëm të BE-së dhe përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Ketrin Eshton, për dhënien e datës për Maqedoninë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Nëpërmjet kësaj letre, ata kërkuan që të mos përzgjatet fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë. Eurodeputetët kanë tërhequr vëmendjen se në rast të ndonjë shtyrjeje tjetër të procesit, do të mund të jepet sinjal negativ në Maqedoni dhe të rrezikojë stabilitetin e këtij vendi.
Ata kanë theksuar se kjo letër do të kuptohet pozitivisht edhe nga Athina zyrtare. çështja e Maqedonisë diskutohet edhe në samitin e Luksemburgut, dhe sipas ministrit të Jashtëm të Austrisë, Mihael Shpindeleger, as në këtë takim, Maqedonia nuk do të marrë datë për negociata aderuese me Bashkimin Europian. Maqedonia është shtet me status prej kandidati për në BE, si dhe me një rekomandim për të filluar negociatat përfundimtare. Ajo nuk merr dot datën e fillimit të kësaj faze, për shkak të çështjes së emrit.