E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga magjepsëse në magjistricë

Salman Rushdie

Ilir Baçi

Me veprën e shkrimtarit Salman Rushdie (lexohet: Selman Rushdi), jam njohur më 1999, në vitin e tretë të studimeve të larta. Pedagogu i lëndës së letërsisë moderne angleze, Prof. Refik Kadija, na kërkoi që të gjithë studentët e klasës të zgjidhnin një vepër nga një listë jashtë programit, të cilën duhej ta lexonim në mënyrë të pavarur dhe për të cilën duhej të përgatisnim një referat të shkurtër e ta paraqisnim përpara klasës. Në listë, syri më zuri emrin e këtij shkrimtari indiano-anglez, për të cilin dija vetëm se ishte bërë objekt debati rreth vitit 1990 për një libër të titulluar The Satanic Verses (Vargjet satanike). Romani i përfshirë në listë, The Moors Last Sigh (Psherëtima e fundit e Arapit), ishte romani më i fundit i Rushdie-ut asokohe, i botuar në vitin 1995. Ishte adhurim me lexim të parë. Prej atëherë, e kam pritur me padurim botimin e librave të ndryshëm të Rushdie-ut nga viti në vit.

Për herë të parë në gjuhën shqipe vepra e tij është botuar në vitin 2004 (Psherëtima e fundit e Arapit – shqipëruar nga Sabina Dhrimo).

Romani Magjistricat e Firences (The Enchantress of Florence) ka dalë në qarkullim në origjinal në vitin 2008. Në muajin dhjetor të po atij viti fillova përpjekjet e para për ta sjellë këtë roman në shqip. E gjer diku nga pranvera e vitit 2011, kanë qenë dy vjet rrugëtim magjepsës, të mbushur me të papriturat, ngecjet e kënaqësitë që të falë përkthimi letrar. Gjatë përkthimit të veprës së Rushdie-ut këto janë të shumta.

Përkthimi është një proces i vështirë. Përkthimi letrar, nënkupton një nivel më të lartë vështirësie, të cilën, sigurisht, e kompenson me një liri më të madhe krijimi në gjuhën të cilës i drejtohet. Por edhe brendapërbrenda letërsisë, ka vepra që përmbajnë më pak vështirësi, probleme e sfida, e ka të tjera të cilat në vetvete janë aq të vështira, saqë për to thuhet se edhe janë jo të përkthyeshme. Në fakt, kur po i flisja një miku për përvojën e përkthimit të Rushdie-ut (ishte koha kur po përpëlitesha me shqipërimin e romanit Furia) i thashë se të përkthesh Rushdie-un më ngjan sikur të marrësh një pallto, e me copën e saj të bësh pantallona. Nuk është krahasimi më i goditur, sigurisht, por edhe shumë larg realitetit nuk është.

Salman Rushdie-u i përket rrymës së realizmit magjik. Në fantazinë time, romani Psherëtima e fundit e Arapit është i ngjashëm me Njëqind vjet vetmi të Marquez-it. Romani The Ground Beneath Her Feet (pak a shumë: Dheu ku ajo shkel) po kështu më ngjan me një kryevepër tjetër të Marquez-it: Dashuri në kohërat e kolerës. Vështirësitë në përkthimin e kësaj rryme janë të shumta, që nga ndërlikimi i subjektit, numri i madh i personazheve, e, në rastin e Rushdie-ut, te lidhjet jashtëtekstuale, të cilat ia shtojnë bukurinë tekstit, por që sigurisht duhen parë me vëmendje.

Por, vështirësia më e madhe, ka qenë zotësia, thuajse prej akrobati, me të cilën e përdor gjuhën angleze Rushdie-u. Loja e fjalëve, përdorimi i sinonimeve, pikturimi me të gjitha nuancat dhe dritëhijet e mundshme që të ofron fjalori i gjuhës (jo vetëm angleze, por edhe të tjera, siç është për shembull përdorimi i fjalës bul-bul në vend të fjalës nightingale – bilbil). Fjalia në vijim (faqe 163) është një ilustrim i shpejtë që më vjen në mendje (për tu frymëzuar për sinonimet e ndryshme të fjalës prostitutë, madje, bleva Fjalorin Erotik të përpiluar nga Edmond Tupe):

Dhe, sigurisht, në skenë e rikthyen edhe femrat, rospiet e papërmbajtura sllave, kuçkat melankolike polake, putanat llapaqene romane, buçet vithemëdha gjermane, mercenaret zvicerane, që ishin në shtrat po aq të zjarrta sa edhe homologët e tyre meshkuj në fushëbetejë, duke mos munguar nga skena as vajzat vendase, të cilat ua kalonin të gjithave.

I gjithë romani është magjepsës, por në veçanti, nuk e di për çarsye, përkthimi i kreut 9, me të cilin mbyllet edhe Pjesa e Parë, më ka përpirë të gjithin, thuajse po aq sa edhe piktorin Dashvant, personazhin për të cilin bën fjalë kreu.

Pak fjalë edhe për përmbajtjen e romanit Magjistrica e Firences. Tema e këtij libri, është një temë që del shpesh në veprën e Salman Rushdie-ut: ajo e të qenit i huaj në një vend të huaj. Por, në veçanti, një pjesë e madhe e këtij libri nuk është e sajuar drejtpërdrejt nga autori. Thuhet se ky roman është libri më i studiuar i Rushdie-ut. Në fakt, kjo duket qartë edhe nga bibliografia e bollshme që jepet në fund të librit. Personalisht, ajo që më pëlqen më shumë nga ky libër, është ideja që ai jep, se njeriu, edhe në situatat kur është skllav a rob i të tjerëve, duhet të përpiqet e mund të bëhet zot i vetes. Këtë bën edhe një nga personazhet kryesore, Karakëzja, zonja Syzezë, e cila duket se jeta e hedh sa nga një princ në tjetrin si plaçkë lufte, por që është e zonja të jetë e përgatitur për gjithçka dhe të mos lejojë që jeta ta vërë në fund.

I gjithë libri vjen si një përrallë, por, pa frikë, mes rreshtave të çdo paragrafi fshihen përsiatje filozofike dhe të vërteta (të thjeshta e të ndërlikuara) të jetës, të cilat, herë vijnë si déjà vu, e herë si një zbulim i këndshëm për lexuesin. Vetë, do ta mbyllja këtë rrëfim vetjak, me këto rreshta të nxjerra nga kreu 12:

Pas kësaj, mbeti vetëm bardhësia e mjegullës dhe shushurima e detit. Toka dhe qielli filluan të ngjajnë si përralla të lashta. Ky pluskim i verbër ishte i gjithë universi. Për njëfarë kohe veproi siç e kishin urdhëruar, bënte njëqind rrema, pastaj i binte bririt, një herë, dy herë, tri herë, por nuk dëgjoi asnjëherë asgjë në përgjigje të buçimës së bririt. Bota ishte memece dhe vdekjeprurëse. Vdekja do ta zinte në befasi duke lëvizur pa zhurmë mbi ujë. Anijet osmane do ti suleshin dhe do ta shtypnin si buburrec. Nuk i ra më bririt. E kuptoi se Admirali nuk donte tia dinte për fatin e tij dhe se e kishte therorizuar tregimtarin e vogël njësoj si detari që pështyn gëlbazën në det. Kaq qe tani, një gëlboqe që pluskonte për pak çaste mbi valë përpara se të mbytej. Provoi ti tregonte përralla vetes, për të mos u lëshuar, por në mendje i vinin vetëm histori të frikshme, përralla e viganit që dilte nga thellësitë dhe e shkërmoqte varkën me nofullat e veta të fuqishme, apo përralla me krimbat e neveritshëm të honeve të detit, apo përralla me flakët që nxirrte nga goja dragoi i thellësive. Pastaj, pas njëfarë kohe, përrallat i mbaruan dhe ai mbeti pa asnjë mjet mbrojtës. Mbeti një qenie e vetmuar, që lëvizte qorrazi në mes të bardhësisë. Kështu katandiset njeriu po tia heqësh atdheun, familjen, miqtë, qytetin, vendin, botën: një qenie pa asnjë kontekst, e shkuara e të cilit është tretur, e ardhmja e të cilit është errur, një subjekt të cilit ia kanë hequr emrin, kuptimin, jetën, me përjashtim të rrahjeve të përkohshme të zemrës. Pisk e kam punën, i tha vetes. Edhe buburreci në bajgën e ngrohtë ka më shumë kuptim se unë.

Libri

Magjistricat e Firences

Salman Rushdie

Botues: Dudaj, shqipëroi Ilir I. Baçi

Roman, 376 f., 1.400 lekë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›