E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputete të Ballkanit, mysafire të Kryetares së Kuvendit.

    Gra parlamentare të Rajonit ishin sot mysafire për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë.
Në cilësinë e moderatores së këtij takimi, deputetja Diana Çuli falënderoi deputetet e ardhura nga parlamentet e vendeve të Rajonit, si Bosnje-Hercegovina,  Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, pjesëmarrëse në këtë takim.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në hapje të këtij takimi të veçantë e cilësoi atë si një derë tjetër që çelet për të gjitha gratë parlamentare të Ballkanit, në këndvështrimin e  bashkërendimit të kontributit  të tyre në politikën e Rajonit dhe  më gjerë. Ajo vlerësoi se më shumë gra në politikë do të rrisin vëmendjen e shoqërisë ndaj çështjeve gjinore dhe mirërritjen e fëmijëve.
Gratë deputete, pjesëmarrëse në takim, paraqitën një situatë të pjesëmarrjes së gruas në parlamentet e vendeve përkatëse.
Deputetja Valentina Leskaj, nga Kuvendi i Shqipërisë  ndër të tjera theksoi se jemi në një fazë  cilësisht të re për të drejtat e grave, duke e sjellë në axhendën e politikës së ditës. Ajo tha se ka akoma shumë për të bërë, pasi  gratë janë të përfaqësura akoma pak në politikë, duke pasur 7.1% gra në Parlament dhe vetëm 2 ministre. Porse, siç vuri në dukje edhe Kryetarja e Kuvendit, po punojmë fort që të arrijmë kuotat e vendosura, tha ajo.
Silvana Boneva, nga Parlamenti i Maqedonisë  theksoi se  rasti i Shqipërisë është shumë inspirues që ka në krye të Kuvendit një  grua, jo thjesht sepse kjo shton hijeshinë , por se zonja Jozefina Topalli ka tërhequr  vëmendjen me intelektin, vendosmërinë e guximin  e saj në drejtim. Flora Brovina nga Kuvendi i Kosovës theksoi se  rëndësia e dialogut ndërparlamentar të grave, mes të tjerash, qëndron edhe në bashkëpunimin e ndërsjelltë që do të ndihmojë  në tejkalimin e ndasive si dhe në ndryshimin e nocionit të Ballkanit si rajon konflikti. Gratë i kanë përgjegjsitë e tyre në shoqëri dhe këto duhen përdorur- tha zonja Brovina.
Nga Bosnje-Hercegovina diskutuan deputetja Azra Hadziahmetoviç, si dhe Alma Çolo nga Dhoma e Ulët, të cilat vunë në dukje se qytetarët duan të ketë më shumë gra në parlament, po ato vendosen në pozicionet dytësore në listat dhe kështu nuk arrijnë deri në parlament. Aktualisht ka 4 gra në parlmentin, gjë që bën që problemet e grave në parlament të mbeten të papërfaqësuara. Po kështu ka pak gra në poste drejtuese, prandaj sistemi i kuotave 30 % në parlament, vunë në dukje deputetet,  duhet të jetë një minimum dhe një kërkesë për të gjithë.
Branka Tanisijeviç nga Parlamenti i Malit të Zi tha se është evidente që problemet të cilat i hasin koleget në vendet e rajonit  janë identike nga ato nga vij unë. Në trupin zgjedhor jemi 50%. Kurse në vendimmarrje pothuajse të padukshme. Shpresoj se kjo nismë do të japë një kontribut modest që në të ardhmen  e afërt situata aktuale të ndryshojë.
Në pjesën e dytë takimi përvijoi me  debatin e dy temave kryesore, që ishin: Si të rrisim numrin e deputeteve dhe suficiencën e kuotave, si dhe mbi krijimin e një rrjeti lokal të grave parlamentare, ku u referua nga deputetja shqiptare Lajla Përnaska, nga deputetja Maqedonase Silva Boneva dhe nga këshilltarja e çështjeve gender e ODIHR-it .
                                                     
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›