E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare kërkon përjashtimin e gjyqtares Hajdari



Në përballjen e parë me trupin gjykues që e gjykon, Aldo Bare, i njohur edhe me emrin Alfred Shkurti, kërkon përjashtimin e kryegjyqtares Fatmira Hajdari, duke aluduar për ndikim politik të saj. Vetë i pandehuri Bare nuk ka folur përveç deklarimit se është personi që gjykohet prej tyre, por pretendimi është paraqitur në seancën e djeshme nga avokati i tij, Vladimir Meçi, i cili deklaroi në sallën e gjyqit se klienti i tij Aldo Bare kërkon që gjyqtarja të japë dorëheqjen, pasi për shkak të politizimit të çështjes dhe faktit që gjyqtarja është e veja e Azem Hajdarit, paragjykojnë vendimin që mund të japë. Kjo kërkesë iu dorëzua dje vetë gjyqtares Fatmira Hajdari, e deleguar nga KLD-ja për të drejtuar gjykimin e kësaj dosjeje, e cila u shpreh gjatë seancës se do t’ia kalojë kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, i cili do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo këtë kërkesë. Seanca, e cila zgjati vetëm 10 minuta, u shty deri në një vendim të kreut të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ky është një veprim procedural që pritet të shqyrtohet në ditët në vazhdim nga kryetari Dritan Hallunaj. Ndërkohë që avokati Meçi vetëm pak ditë më parë ka depozituar një tjetër kërkesë, me objekt shuarjen e masës së sigurisë për klientin e tij. Sipas kërkesës së avokatit Meçi, afatet e kësaj mase sigurie janë shuar gjatë kohës që klienti i tij ndodhej i arrestuar në burgjet e Turqisë, në pritje të ekstradimit të tij. “Që nga koha kur Aldo Bare u arrestua në Turqi, gjykata nuk i ka pezulluar afatet e paraburgimit, duke e mbajtur kështu Baren një vit tej afateve që parashikohen në ligj për masën e sigurisë "arrest me burg". Afatet e paraburgimit i kanë përfunduar në vitin 2008, sepse, edhe pse ai është arrestuar në Turqi, është mbajtur nën arrest për llogari të drejtësisë shqiptare, kështu që koha e mbajtjes në qeli konsiderohet afat paraburgimi", - thuhet në kërkesën e avokatit. Pas depozitimit të kësaj kërkese, pritet që gjyqtari Klodian Kurushi, i cili ka caktuar masën e sigurisë, ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe të shprehet në lidhje me pretendimet e mbrojtjes për shuarjen e masës së sigurisë. Aldo Bare akuzohet për mbi 20 vrasje, krijim te organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale ne bashkëpunim me organizata kriminale. Aldo Bare u ekstradua dy javë më parë nga Turqia, ku ishte arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare. Kapobanda e Lushnjës kërkoi deri azil politik dhe përmendi se më mirë donte të ekstradohej në Itali sesa në Shqipëri, por faktet e depozituara nga pala shqiptare sollën të shumëkërkuarin me zinxhirë duar e këmbë në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›