Deputetët e Komisionit për Burimet Natyrore njihen me praktikat e ndarjes së mbetjeve në burim në Berat

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvilloi ditën e djeshme me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, një takim dhe vizitë pune në bashkinë e Beratit, ku deputetët u pritën nga kryetari i bashkisë, Ervin Ceca.
Gjatë diskutimeve deputetët e komisionit dhe përfaqësuesit e OSBE-së në Shqipëri folën për çështje që lidhen me rolin e komisionit në mbikëqyrjen mjedisore, administrimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe kontributin e OSBE-së në këto fusha.
Në terren, anëtarët e komisionit vizituan impiantin e riciklimit në bashkinë Berat, ku u njohën nga afër me praktikat e ndarjes së mbetjeve në burim, procesin teknik të riciklimit, përputhshmërinë me standardet mjedisore dhe të sigurisë, si dhe me rolin e inspektimeve, mbikëqyrjes rregullatore, sektorit privat dhe komunitetit lokal në menaxhimin e mbetjeve.
Kryetarja e Komisionit, Anila Denaj, u shpreh se në kuadër të aprovimit të paketës ligjore për ruajtjen e mjedisit, pjesë e Kapitullit 27 “Mjedisi dhe Ndryshimi Klimatik”, ndarja e mbetjeve në burim nga pushteti vendor është tashmë një detyrim ligjor.
“Gjatë vizitës në impiantin e riciklimit u njohëm me praktikat konkrete të ndarjes në burim, procesin e riciklimit dhe respektimin e standardeve mjedisore e të sigurisë, duke vënë theksin te roli i institucioneve, sektorit privat dhe komunitetit lokal në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve”, tha Denaj.
1 nga 12
/k.s/j.p/r.e/