Deputetët e Kuvendit shpenzojnë 94 milionë lekë për fuoristrada
Eljona Ballhysa
Kuvendi i Shqipërisë ka realizuar vetëm gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti 11 prokurime me tender të hapur, duke harxhuar në total një fond prej afro 94 milionë lekësh. Ky fond është përdorur kryesisht për blerjen e automjeteve tip fuoristradë, për servisin e tyre, për sigurimin e automjeteve si dhe për aksesorë të nevojshëm për përdorimin e tyre. Një pjesë tjetër e fondit është përdorur kryesisht për të blerë letër, kancelari dhe për shërbime konsulence për hartimin e projektligjeve të ndryshme.
Prokurimet për makina
Në listën e njoftimeve për prokurimet publike bie në sy numri i madh i tenderave që janë zhvilluar kryesisht për automjetet dhe pajisjet e tyre. Kështu, në fund të muajit prill është zhvilluar një tender i hapur për blerje gomash për automjete. Fondi limit i parashikuar ka kapur shifrën e 3.600.000 lekëve pa TVSH-në. Po gjatë këtij muaji është zhvilluar tenderi i hapur për blerje filtrash për automjete me një fond limit prej 2.000.000 lekësh pa TVSH. Në fillim të muajit prill Drejtoria e Prokurimeve pranë administratës së Kuvendit të Shqipërisë ka zhvilluar tenderin e hapur për blerje automjetesh tip fuoristrada. Fondi limit total ka kapur shifrën e 38.900.000 lekëve pa TVSH. Afati për dorëzimin e dokumenteve ka qenë 90 ditë kalendarike nga nënshkrimi i kontratës, ndërkohë që data e zhvillimit të tenderit ka qenë data 04.04.2008, në Administratën e Kuvendit. Një tjetër prokurim me tender të hapur është zhvilluar në fund të muajit mars të këtij viti për blerje baterish për automjete me një fond limit prej 978.000 lekësh pa TVSH. Po gjatë muajit mars është zhvilluar procedura e prokurimit me tender të hapur për sigurimin e automjeteve me një fond limit 6.852.120 lekë pa TVSH, e ndarë kjo sipas llojit të sigurimit, kasko apo i pjesshëm. Një tjetër fond që është harxhuar për automjetet nga Kuvendi është ai për blerje karburanti. Drejtoria e Prokurimeve ka zhvilluar tender të hapur për blerje karburanti për automjete e ngrohje, me një fond limit prej 10.964.000 lekësh pa TVSH. Fondi për blerje karburanti për makina ka qenë ekzakt 9.964.000 lekë, ndërsa ai për blerje karburanti për ngrohje ka kapur shifrën e 1.000.000 lekëve.
Prokurimet për kancelari
Po gjatë muajve mars dhe prill administrata e Kuvendit ka zhvilluar rreth 5 prokurime me tender të hapur për blerjen e materialeve në nevojshme për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, si letër, bojë, kompjuterë etj. Kështu, është zhvilluar tenderi për blerje lubrifikant, alkool e antifrizë me një fond limit 2.510.000 lekëve pa TVSH. Një tjetër tender është zhvilluar për blerje materiale shtypshkronje, me një fond total 2.213.500 lekësh, i ndarë për blerje letre me fond limit 682.100 lekë si dhe për materiale ndihmëse për shtypshkronjën me fond limit 1.531.400 lekë. Një fond prej 1.677.500 lekësh është përdorur për blerje kancelarie dhe një fond prej 20.000.000 lekësh është përdorur për blerje kompjuterësh, laptop, printerë, skaner e fakse. Po kështu është përdorur një fond prej 4.000.000 lekësh për shërbime konsulence kryesisht për hartimin e projekteve të zbatimit për rikonstruksionin në godinën e Kuvendit dhe sallën e Seancave Plenare.
Prokurimet
Tender i hapur për blerje gomash për automjete Fondi limit 3.600.000 lekë pa TVSH
Tender i hapur për blerje filtrash për automjete Fondi limit 2.000.000 lekë pa TVSH
Tender i hapur për blerje automjetesh tip fuoristrada
Fondi limit 38.900 .000 lekë pa TVSH
Tender i hapur për blerje baterish për automjete Fondi limit 978.000 lekë pa TVSH
Tender i hapur për sigurimin e automjeteve
Fondi limit 6.852.120 lekë pa TVSH
Tender i hapur për blerje karburanti për automjete e ngrohje
Fondi limit 10.964.000 lekë pa TVSH
Tender i hapur për blerje lubrifikant, alkool e antifrizë
Fondi limit 2.510.000 lekë pa TVSH
Tender i hapur për blerje materiale shtypshkronje Fondi total 2.213.500 lekë
Tender i hapur për blerje kancelarie
Fondi limit 1.677.500 lekë
Tender i hapur për blerje kompjuterësh, laptopë, printerë, skaner e fakse
Fondi limit 20.000.000 lekë
Përdorimin e një fondi prej 4.000.000 lekësh për shërbime konsulence
13 Gusht 2008