E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i Ulqinit shtegton drejt Vlorës



Më datat 13-18 gusht 2008 Panairi i Librit të Ulqinit do të shtegtojë drejt bregdetit shqiptar të Vlorës. Në sheshet kryesore të qytetit për gjashtë netë 50 botues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia do të sjellin mbi 5 mijë tituj librash të ndryshëm për pubikun dhe turistët. Të pranishëm në këtë panair pritet të jenë edhe shkrimtarë, poetë e kritikë, femra e meshkuj, ndër më të njohurit e letrave shqipe, të cilët do të lëshojnë autografe për lexuesit e pasionuar pas veprës së tyre. Si ndërmarrje e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ky panair zhvillohet në Vlorë për të nëntin vit me radhë. Panairi gjithashtu, gëzon mbështetjen e Bashkisë së Vlorës, Lidhjes së Shkrimtarëve Vlorë, Bibliotekës së qytetit, etj.

Ribotohet “Qerbelaja” e Naim Frashërit

Përmbledhja poetike “Qerbelaja”, shkruar nga Naim Frashëri para 100 vjetësh, së fundmi u ribotua sërish për të disatën herë radhazi. Kjo përmbledhje poetike i dedikohet tragjedisë së Qerbelasë dhe farefisit të Profetit Muhamed. Në hyrje të librit janë shkruar dy parathënie nga z. Reza Karami drejtor i Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” dhe nga gjuhëtari prof. dr. Jorgo Bulo. “Vlen të theksohet se ribotimi i kësaj përmbledhje poetike u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë midis Fondacionit Kulturor “Saadi shirazi” dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga Komiteti i studimeve dhe hulumtimeve të Asamblesë botërore të Ehli Bejtit me rastin e organizimit të Kongresit të 8-të të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe 100-vjetorin e vdekjes të Naim Frashrit. Kjo vepër si pasojë e kërkesave të shumta nga lexuesi shqiptar është ribotuar disa herë.

Një libër me “Përralla për fëmijët e mirë”

“Përralla për fëmijët e mirë” quhet libri i autorit iranian Mehdi Azarjazdi që “flet” edhe në shqip kohët e fundit. Frymëzimi i përrallave të këtij libri autori e ka marrë nga letërsia klasike iraniane e cila është plot filozofi, fe dhe moral. Redaktues i këtij libri për fëmijë është z. Gaqo Bushaka, nga autorët më të shquar shqiptarë për fëmijë, i cili ka përgatitur edhe parathënien e librit. Libri “Përralla për fëmijët e mirë”, që përmban rrëfenja dhe përralla nga letërsia klasike persiane të zgjedhura prej veprave; “Kalila dhe dimna”, “Gjylistani dhe Bostani”, “Masnavi” etj, është sjellë për lexuesin e vogël shqiptar me fjalë dhe shprehje të thjeshta e të kuptueshme, në mënyrë që bota e ngatërruar e të mëdhenjve të jetë e prekshme edhe për fëmijët. Në këtë libër çdo rrëfenjë ka një histori më vete, që zgjon kureshtjen e fëmijëve. Kopertina e këtij libri paraqet një pamje të fëmijëve shqiptarë e ilustruar nga një portret karakteristik i përrallave për fëmijë, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së fëmijëve të vegjël që në pamjen e parë. Ky libër është përkthyer nga persishtja nga Elton Lila dhe Ledio Demolli. Libri “Përralla për fëmijët e mirë” është botuar në një tirazh prej 1000 kopje nga shtëpia botuese “Ideart”.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›