Prishtina kundërshton krahasimet me Gjeorgjinë
Ai tha se Kosova paraqet qasjen më të mirë të mundshme të bashkëpunimit edhe me ata që kanë nxitur gjendje tragjike në të kaluarën. Kosova tha ai është e përkushtuar që atë pjesë të historisë ta ketë pjesë të kujtesës dhe të ketë marrëdhënie të mira madje edhe me Republikën e Serbisë. "Prandaj ne nuk shohim se shembulli i Kosovës mund të lidhet me shembuj identik me diku tjetër. Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës e kanë dëshiruar që ta cilësojnë Kosovën si precedent për zgjedhje të tjera, por mendoj që argumentet janë tërësisht të tjera. Për ne është me rëndësi që të bëjmë një apel edhe nga këtu për paqen dhe stabilitetin që duhet të jetë edhe në rajonet tjera të botës. Dhe në këtë kuadër natyrisht që na vjen shumë keq dhe shumë rëndë për viktimat që ndodhin edhe në Republikën e Gjeorgjisë", theksoi ai.
Presidenti Sejdiu hodhi poshtë çdo mundësi që zhvillimet në Gjeorgji të pasqyrohen në procesin e njohjes së mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. "Mendoj se procesi i njohjes së Republikës së Kosovës është në rrugën e vet. Nuk është proces që duhet të lidhet me zhvillimet që mund të jenë në rajone të tjera. Mbase dikush do të ketë dëshirë ta trumbetojë si të tillë. Sigurisht që ne kemi kapërcyer një fazë të rëndësishme të njohjeve të para që i janë bërë Kosovës. Mendoj se procesi do të vazhdojë", tha presidenti Sejdiu
Deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 45 vende
të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të
Bashkimit Evropian. Por, pavarësia është kundërshtuar ashpër nga Serbia dhe
aleatja e saj Rusia, të cilat kundërshtojnë edhe planet për vendosjen e
Misionit të Bashkimit Evropian që do të duhej të zëvendësonte Misionin aktual të
Kombeve të Bashkuara. Veriu i vendit është shndërruar në skenë të kundërshtimeve
të ashpra ndaj pavarësisë së vendit, duke shtuar shqetësimet për mundësinë e
ndarjes së Kosovës. Presidenti Sejdiu tha sot se problemet janë të hapura në këtë
pjesë të Kosovës por hodhi poshtë çdo mundësi të cenimit të tërësisë tokësore të
vendit. //rd//