E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i Topallit, që i la në baltë SHBA-të



Ledi Bianku, përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka votuar kundër ekstradimit nga SHBA-të të klerikut Abu Hamza, i cili akuzohet për terrorizëm. Këtë e ka bërë të ditur gazeta e njohur britanike “The Sun” në një artikull të botuar në datën 6 gusht. Ndër të tjera gazeta njofton se Ledi Bianku, bashkoi votën e tij me një grup gjykatësish që penguan ekstradimin e Abu Hamza, i akuzuar nga prokurorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për terrorizëm. Po gjatë ditës së djeshme ka reaguar një ndër partitë aleate të qeverisë. Në një deklaratë për shtyp Partia Demokristiane ka dënuar këtë veprim të papërgjegjshëm të përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjykatën Eropiane për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar distancim të qeverisë shqiptare. Sekretari politik i PDK-së, Lazër Stani, ndër të tjera është shprehur se Ledi Bianku nuk është përzgjedhur në bazë të kritereve ligjore për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë Gjykatë, por për shkak të lidhjeve miqësore dhe familjare të tij me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli si dhe me drejtues të lartë të qeverisë shqiptare.
Artikulli
Sipas gazetës britanike “The Sun”, argumenti i përdorur nga nëntë prej anëtarëve të kësaj gjykate, ku bën pjesë edhe përfaqësuesi i Shqipërisë është se Shtetet e Bashkuara nuk garantojnë respektimin e të drejtave të njeriut. Më tej “The Sun” shkruan se gjykatësit që votuan kundër ekstradimit të Abu Hamzait, arsyetuan votën e tyre se “sistemi i drejtësisë amerikane në shumë aspekte vjen në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo mund të sjellë trajtimin johuman e degradues të Abu Hamza-it, nëse ai dërgohet në SHBA”. Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se të nëntë gjyqtarët që votuan kundër, vinin nga vende që me vështirësi kanë planifikuar ose mbështesin luftën kundër terrorizmit. Sipas gazetës, vota e përfaqësuesit të Shqipërisë u bashkua me votat e gjyqtarëve që vinin nga Moldavia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina, Sllovakia, Polonia etj. Ndërkohë që gjyqtarët që përfaqësonin vendet kryesore të Bashkimit Europian votuan pro ekstradimit të tij në SHBA. “Ju kurrë nuk keni dëgjuar për shtatëdhjetedyvjeçarin Giovanni Bonnell nga Malta. Ose për Ledi Biankun, 37 vjeç, nga Shqipëria. Por këta të dy së bashku me shtatë gjyqtarë të tjerë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, bllokuan ekstradimin e predikuesit të urrejtjes Abu Hamza në SHBA. Bonnell, Bianku dhe kolegët e tyre vinin nga vende të errëta, që kurrë nuk i janë kundërvënë terrorizmit islamik”, - shkruan gazeta “The Sun”.
Reagimi
Në deklaratën për shtyp Partia Demokristiane e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se një veprim i tillë i përfaqësuesit të Shqipërisë dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në Europë dhe te partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë. “PDK beson dhe shpreson se Shqipëria është seriozisht e angazhuar në luftën kundër terrorizmit islamik, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë europianë. Por fatkeqësisht, z. Bianku, me votën e tij, vë në dyshim jo vetëm angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, por edhe vlerësimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend kampion i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, siç është shprehur kryeministri Berisha, më shumë se njëherë”, është shprehur sekretari politik i PDK-së, Stani. Më tej ai shpreh shqetësimin se përfaqësuesi i Shqipërisë në një Gjykatë të lartë evropiane është një përzgjedhje e dobët e cila ka ardhur për shkak të lidhjeve të tij miqësore me kryetaren e Kuvendit, Topalli. “Ndërkaq ne na shqetëson fakti i përzgjedhjes së dobët dhe mbi kritere miqësore, familjare ose shërbesash partiake të përfaqësuesve të Shqipërisë në institucionet kryesore europiane dhe ndërkombëtare. Rasti i zgjedhjes së z. Bianku si përfaqësues i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut është më flagranti dhe rezulton, edhe më i dështuari. Emri i Biankut u bë i njohur në publik pas zgjedhjes së tij si kryetar i KKRT-së në emër të së ashtuquajturës reformë, për shkak të lidhjeve të vjetra familjare me kryetaren e Kuvendit dhe me eksponentë të tjerë të qeverisë”, - është shprehur Stani i cili në emër të PDK-së i ka kërkuar qeverisë shqiptare të distancohet nga ky veprim.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›