Deputetët e PS-së dëshmojnë për “21 janarin”

Gjykata e Tiranës ka nisur sot gjyqin për 21 Janarin, ku të pranishëm në sallë kanë qenë edhe tre deputetët e PS-së; Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi dhe Saimir Tahiri. Ndërkohë që Gjykata ka përzgjedhur seancën e kaluar dy ekspertët e rinj për çështjen e 21 Janarit; Dritan Zoto dhe Gani Elezi. Këta do të bëjnë ekspertizën mjeko-ligjore të Ziver Veizit. Deputeti Saimir Tahiri shprehu shqetësimin mbi tejzgjatjen e pakuptimtë të procesit gjyqësor të “21 Janarit” dhe deklaroi se, është i pranishëm në seancë së bashku me kolegët e tij deputetë, për të dëshmuar se pas 23 qershorit do të vendosin drejtësinë në vend.
Prokurorët e çështjes së “21 Janarit” i janë drejtuar me një kërkesë dy ekspertëve të çështjes për vrasjen e Ziver Veizit, në të cilën kërkojnë të dinë, nëse vërtetohet që ashklat e drurit janë transportuar nga predha tek trupi i Veizit. Ndërkohë disa ditë më parë, Gjykata hodhi poshtë ekspertizën e Ndoc Çardakut pas deklaratave të këtij të fundit, se plumbi që ka qëlluar Ziver Veizin është devijuar dhe për më tepër në rrobat e viktimës janë gjetur gjurmë druri.
Vendimi i trupës i kryesuar nga gjykatësi Besnik Hoxha erdhi menjëherë pas kërkesës së prokurorisë, për të rrëzuar këtë dëshmi. Sipas prokurorit Blerim Tominaj ky ekspert ka tejkaluar kompetancat e tij profesionale, duke u përgjigjur edhe për pyetje, të cilat nuk janë të fushës së tij profesionale. Për këtë fakt prokurori kërkoi riekspertim të aktit nr.610, të hartuar nga Çardaku, një ekspert i ri më profesionist, i cili, sipas prokurorit, ka deklaruar shumë e më shumë se nga ajo që çka është shkruar në akt.
Dy ekspertët duhet t’i kthejnë përgjigje prokurorëve të çështjes deri më datën 26 dhjetor./Indeksonline/