E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së sërish pa rroga nese ribojkotojne

22/02/2010 Të zgjedhurit e selisë rozë thyejnë bojkotin, por s’marrin pagën

Ligji “Për statusin e deputetit” parashikon rastet e ndalesës

Deputetët e Partisë Socialiste, edhe nëse e thyejnë bojkotin në seancën e 25 shkurtit apo të 1 marsit, do të mund të sigurojnë në këtë mënyrë vetëm vijimësinë e mandatit të tyre edhe për 6 muaj të tjerë, por jo rrogat e tyre. Xhepave dhe portofolave të deputetëve të selisë rozë që do t’i binden vendimit politik të kryetarit të PS-së për të bojkotuar punimet e Kuvendit do t’u mungojë paga e deputetit plus shpërblimeve për pjesëmarrjet në komision si drejtues i komisionit apo drejtues i grupit parlamentar dhe ndonjë diete të mundshme për aktivitete parlamentare jashtë vendit. Kushtetuta u siguron atyre kushtet për ta fituar dhe humbur mandatin e deputetit me bërjen e betimit dhe pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit. “Mospjesëmarrja pa shkaqe të përligjura të deputetit në seancë, në komisione ose në veprimtari të tjera parlamentare sjell ndalesën e pjesshme të pagës ose të shpërblimit”, - thuhet në nenin 13, pika 3 e ligjit “Për statusin e deputetit”. Paga e deputetit vjen menjëherë pas pagës së ministrit dhe përbëhet nga paga për pjesëmarrjen e tij në seancë, në komisione dhe në veprimtari të tjera parlamentare. Gjithashtu ai gëzon të drejtën e shpërblimit për pjesëmarrje në komisione, si drejtues i Komisionit apo si drejtues i grupit parlamentar. Raportet e pagës, masës së dietës, të shpërblimit, si dhe norma për transportin që përfiton deputeti, kryetari i komisionit, nën/komisionit dhe kryetari i grupit parlamentar përcaktohen me vendim të Kuvendit.

Përjashtimi

Ish-kryeministri Fatos Nano ka qenë i vetmi që ka përfituar rrogë të plotë, edhe pse gjatë katër vjetve ai nuk mori pjesë në asnjë komisionin apo seancë. Vendimi është marrë nga vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një konferencë kryetarësh, ku u vendos që Nano të paguhej me rrogë plotë. Ai ishte prezentë në seancat parlamentare një herë në gjashtë muaj për të mos djegur mandatin e deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›