E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët e rinj

Bujar Dugolli, Lutfi Zharku dhe Petar Miletic, nga sot vishen me imunitet. Ata edhe zyrtarisht, të enjten, bëhen deputetë të Parlamentit të Kosovës.

Madje, Petar Miletic do të futet në legjislativ me vetëm 187 vota, të zgjedhjet e vitit 2007.

Komisioni Qendror Zgjedhor, në mbledhjen e caktuar për sot (e premte), në rend dite ka edhe pikën për të marrë vendim për certifikimin e deputetëve të rinj, të cilët do t’i pasojnë kolegët e tyre Rasim Selmani (AAK), Agim Veliu (LDK) dhe Bojan Stojanovic (SLS), të cilët në zgjedhjet e 15 nëntorit 2009 arritën të zgjidhen kryetarë komunash.

Gazeta Express ka siguruar letrën zyrtare që Presidenti Fatmir Sejdiu i ka dërguar KQZ’së, nëpërmjet të cilës ka kërkuar nga ky organ që ta bëjë zëvendësimin e deputetëve në fjalë. Në këtë letër, mes tjerash, thuhet se KQZ-ja duhet që në bazë të Ligjit për Zgjedhjet ta bëjë zëvendësimin e deputetëve me kandidatët që gjenden në fillim të listës së partive politike të zgjedhjeve të vitit 2007.

“Po është e vërtetë se e kemi marrë letrën nga Presidenti dhe kjo çështje është si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e KQZ’së, e cila do të mbahet të premten”, konfirmoi për gazetën, Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ’së.

Xhavit Beqiri, ëdhënës i Presidencës, thotë se zëvendësimi i deputetëve do të bëhet sipas ligjit.

“Ne në Presidencë e kemi marrë një kërkesë nga Parlamenti për zëvendësimin e tre deputetëve, të cilët janë zgjedhur kryetarë komunash me pasardhësit e tyre që kanë mbetur pa hyrë në Parlament, pas zgjedhjeve të vitit 2007. Pas marrjes së kësaj kërkese nga Parlamenti, Presidenti e ka proceduar atë më tutje në KQZ, i cila tani duhet t’i certifikojë tre deputetët e rinj”, tha Beqiri.

Letrën në Presidencë e ka dërguar Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ish-Ministri i Tregtisë në Qeverinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bujar Dugolli, duke e konsideruar rikthimin e tij në Kuvend si proces të stërzgjatur, preferon të mos lëshohet shumë në deklarata, derisa të mos e marrë lajmin e mirë edhe zyrtarisht.

“Nuk e di, s’kam çka them asgjë më shumë sesa ato që kam deklaruar më herët. Unë po pres që të marr konfirmimin zyrtar dhe atëherë mund të flas më shumë. Mendoj se pa nevojë, kjo çështje është zgjatur shumë”, tha Dugolli.

I përjashtuari nga AAK-ja, ai nuk preferon të flasë edhe rreth përcaktimit të tij se cilit grup parlamentar do t’i bashkohet.

“Nuk dua të flas tani për këtë. Pasi ta marr konfirmimin zyrtar atëherë mund të flas”, tha ai për Express.

Para disa javësh, Dugolli ka deklaruar se ai nuk do të jetë pjesë e grupit të AAK’së në Kuvend. Me këtë rast, partia e Ramush Haradinajt do të mbetet me minus një opozitar në legjislativ.

Certifikimi i Bujar Dugollit si deputet i Kuvendit të Kosovës, është një goditje për AAK’në, e cila ka synuar që në këtë pozitë ta sjellë liderin e saj, Ramush Haradinajn.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›