E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podgorica nuk kushtëzon

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, priti të enjten në një takim homologen e saj malazeze Irena Radovic.

Edhe pse nuk ishte paralajmëruar prononcim për media, megjithatë Çitaku pas këtij takimi ka folur e vetme para gazetarëve, duke e vlerësuar këtë takim si rast shumë të mirë për të biseduar rreth fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës, në sferën e ekonomisë, edukimit, trashëgimisë e kulturës.

Duke folur për marrëdhëniet diplomatike me shtetin fqinj, Çitaku tha se nuk ka pasur asnjë kushtëzim nga asnjëra palë sa i përket kësaj çështjeje.

“Nuk ka kushtëzime nga Mali i Zi. Të gjitha ato spekulime që kanë qenë kohëve të fundit nuk janë të vërteta, sepse nuk ka arsye për kushtëzime”, tha ajo.

Forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, sipas Çitakut, do të thotë paqe dhe stabilitet për rajonin. “Forcimi i marrëdhënieve tona me Malin e Zi është proces për përshpejtimin sa më të shpejtë të integrimeve europiane të Prishtinës dhe Podgoricës”, tha Çitaku.

Çështja e përfshirjes së minoritetit malazez kosovar në institucionet shtetërore, po ashtu ka qenë temë diskutimi ndërmjet dy zëvendësministreve të Punëve të Jashtme.
Me këtë rast, Çitaku tha se e ka siguruar homologen Radovic se Kosova do të gjejë mënyrën më të drejtë të adresojë çështjen e përfshirjes së komunitetit malazez, në kuadër të institucioneve të Republikës se Kosovës.

Javën e kaluar, Kosova dhe Mali i Zi kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, pas më shumë se një viti, qëkur Podgorica zyrtare njohu pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic, ka thënë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, se nuk do të nënshkruajë dekretimin e ambasadorit të Malit të Zi në Prishtinë, pa i dhënë malazezëve që jetojnë në Kosovë statusin e pakicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›