Kujtimi për Presidentin

Kolos, simbol, flamur dhe personalitet i historisë që ka bërë epokën e tij.
Me këto fjalë u përshkrua ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në katërvjetorin e vdekjes.
Përveç kësaj, për nder të tij, u nda edhe medalja e parë e artë, nga Presidenti aktual, Fatmir Sejdiu, mirënjohje që mban emrin e Ibrahim Rugovës.
Homazhet për ish-Presidentin Rugova filluan në mëngjes. Mbi varrin e tij në lagjen “Velania” në Prishtinë, u vendosën kurora lulesh.
Presidenti aktual Fatmir Sejdiu, paraardhësin e tij e quajti historik dhe person që ka bërë epokën e tij.
“Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, të cilin e kemi në kujtesë të përhershme për punën e madhe që ka bërë për Kosovën, ishte një njeri që i mungon shumë vendit”, tha presidenti Fatmir Sejdiu.
“Ai është një njeri që ka bërë historinë në kohët më të vështira që kemi pasur si popull, dhe mund të themi një njeri që e solli koha dhe që e bëri kohën, e bëri epokën e vet”, theksoi kreu i shtetit, pasi vendosi kurorën me lule.
Duke e ndërlidhur fatin e Kosovës me punën e Ibrahim Rugovës, presidenti Sejdiu tha se falë tij, të tjerët e kanë mësuar të vërtetën për këtë vend.
“Puna e Presidentit Rugova është kolosale dhe ai ishte vërtet një kolos i Kosovës, një burrë i madh i vendit”, tha Sejdiu.
Në raste të tilla, nuk ka si të mungojë edhe vizita te familja e ish-presidentit të Kosovës, Rugova dhe kryetarit shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sigurisht, në raste të tilla, nuk mungojnë as akademitë përkujtimore. As në ditën kur përkujtohet ish-presidenti Rugova.
Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet, u mblodhën shumica prej tyre, e shumë të tjerë munguan.
Katërvjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës, disa prej bashkëpunëtorëve të afërt të tij i gjen në parti të tyre, e të tjerë në parti të tjera.
Por edhe pas kaq vjetësh, partia të cilën Ibrahim Rugova e drejtori gati për dy dekada, e gjen ende në pushtet, por jo me partnerin e njëjtë të koalicionit, sikur në kohën kur ai vdiq në vitin 2006.
Në akademinë përkujtimore, emri i Ibrahim Rugovës ishte prezent kudo. Madje tash edhe në medaljen e artë.
Kjo medalje, nga presidenti aktual, Fatmir Sejdiu, iu nda ish-presidentit të Republikës Çeke, shkrimtarit të njohur Vaslav Havel.
Në organizimin e presidentit, në këtë akademi, nuk munguan as kryeministri Hashim Thaçi, ministrat, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ambasadorët e akredituar në Kosovë, deputetë, dhe përfaqësues të partive politike, e intelektualë.
“Atributet që e shoqëruan në përjetësi Ibrahim Rugovën janë të pafundme, por këto duhet të jenë më të goditurat, njeriu simbol për Kosovën, njeriu flamur për Kosovën”, tha presidenti Fatmir Sejdiu.
Pas fjalimit, kreu i shtetit ndau për herë të parë Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”.
Në emër të ish-presidentit çek, dekoratën e pranoi ambasadorja e Republikës së Çekisë në Kosovë, Janina Hrebickova, e cila lexoi edhe letrën e dërguar nga ai.
“Është nder për mua që të jem personi i parë, i cili shpërblehet me medaljen e artë, e cila e mban emrin e një personaliteti të shquar të historisë së shtetit tuaj të ri”, citoi ambasadorja, laureatin e këtij çmimi.
“Unë kam qenë shumë i lidhur me Ibrahim Rugovën në lidhjet e miqësisë. Ai ishte partner në të cilin shtetet perëndimore i kishin vënë shpresat e tyre për një bashkëjetesë paqësore dhe zhvillim demokratik në mbarë rajonin”, citoi letrën e Havelit, ambasadorja Hrebickova.
As në këtë rast, nuk munguan thirrjet për fillim të ri në rajon, sikurse ai i presidentit Sejdiu, mesazh i cili nga kjo akademi iu drejtua Beogradit zyrtar.
“Ne u bëjmë thirrje sërish autoriteteve të Beogradit zyrtar që të heqin dorë nga mendësia e vjetër e dominimit mbi të tjerët dhe t’i hapin udhë perspektivës më të ndritshme të popujve tanë”, tha Sejdiu.
Ibrahim Rugova ka vdekur katër vjet më parë, kur humbi betejën me kancerin në mushkëri.
Nexhat Daci
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, në krye me liderin e saj akademik Nexhat Daci, bënë homazhe para varrit të presidentit të parë të shtetit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
“Presidenti Rugova e dëshmoi se është në një rrugë të drejtë, në rrugë të Zotit. Do t’i përulemi përherë veprës dhe sakrificës së ideatorit Rugova dhe LDD do të jetë e përkushtuar gjithmonë që të punojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit në frymën dhe filozofinë e presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, tha Daci, i cili me bashkëpunëtorë më pas vizituan familjen Rugova.
Blerim Shala
Një delegacion i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bëri homazhe te varri i Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në 4-vjetorin e vdekjes së tij.
“Në katërvjetorin e largimit fizik prej nesh, të Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ne, si shoqëri kosovare, si politikë e vendit, si shtet i Kosovës, e ndjejmë më shumë se kurrë mungesën e tij”, ka thënë Nënkryetari i Parë i AAK-së, Blerim Shala.
Shala, duke e cilësuar Rugovën si burrështetasin e parë të Kosovës, ka thënë se Shteti i Kosovës sot, megjithatë, është larg vizionit të Presidentit Rugova, që Kosova të bëhet anëtare e Paktit NATO dhe e Bashkimit Evropian.
“Të gjithë ne duhet të bëjmë shumë më tepër për sendërtimin e këtij vizioni. Vetëm në këtë mënyrë do ta respektojmë si duhet trashëgiminë e tij”, ka deklaruar ai.