E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët kërkojnë drejtësi

Rekomandimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, pasi që nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.

Pas debatit të gjatë që është zhvilluar paradite për rastin “Kiçina”, është propozuar nga deputeti Lladrovci një rekomandim ku i kërkohet Kuvendit që të formohet një Komision Ad-hoc për të shqyrtuar rrethanat e këtij gjykimi.
...

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka nisur punimet me ndryshim të rendit të ditës me kërkesë të grupit parlamentar të PDK-së. Ndërkaq si pikë e dyte e rendit të ditës është lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike në muajin janar 2013.

Si pikë e parë e rendit të ditës ka mbet rasti “Kiçina”, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, I mbështetur nga deputetet nënshkrues.

Deputeti nga radhët e PDK-së Ramiz Lladrovci ka thënë se ka dyshime bazë se janë shkelur procedurat në rastin e gjykimit “Kiçina”.

Ndërkohë që në këtë seancë ka munguar zv.ministri dhe njëherit Ministri I drejtësisë Hajredin Kuçi.

Për Lladrovcin është e qartë se legjislativi nuk mund të ndërhyjë në punët e drejtësisë por se sipas tij duhet kontribuar për të korriguar vendimet e mundshme.

Ai ka përmendur një sërë shkeljesh të cilat sipas tij janë bërë në këtë rast.
Rasti “Kiçina” nga ana e opozitës është vlerësuar si një temë shumë thelbësore për drejtësinë në Kosovë.

Ndërkohë Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në fjalimin e tij ka akuzuar misionet ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK e EULEX për mosfunksionimin e drejtësisë.

Sipas Kurtit, ushtarët e UÇK-së janë burgosur nga frika se kontributi i tyre për çështjen kombëtare do të vazhdonte edhe më tej.

“U mbajtën më shumë në burg për atë që mund të bënin dmth për punën që mund të bënin për çështjen kombëtare dhe pavarësinë e Kosovës. Ata nuk mbaheshin shume për atë që kishin bërë po për atë që mund të bënin. Nën pretekstin e disa krimeve nga e kaluara që në fakt nuk i kishin bërë”,ka thënë Kurti.

Kjo kishte ndodhur nën administrimin e UNMIK-ut dhe po ndodh edhe tani nga EULEX-i, ka vlerësuar Kurti.

“Në Kosovën e pasluftës nuk kemi pasur gjyqjësi të pavarur, njëherë UNMIKU tash EULEX kanë fuqi ekzekutive mbi gjyqësorin. Ndërkohë që kanë imunitet prej ligjit në Kosovë, dhe e kanë mbështetjen e plotë të protektoritatit politik në Kosovë, i cili mund të jetë transformuar por jo eliminuar pas shpalljes së pavarësisë”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka shtuar se ushtarët e UÇK-së në rastin Kiçina po e vuajnë padrejtësisht dënimin për krime që nuk i kanë bërë.

“Ushtarët e UÇK-së në vend se të jenë të lirë në shoqërinë tonë me të gjitha meritat që i takojnë, ata po vuajnë dënimin e rëndë për krimin që nuk e kanë bërë”.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se në Kosovë nuk ka drejtësi, derisa ka vlerësuar që shumë nga rastet që janë trajtuar që nga paslufta, kanë treguar që ka patur motive politike në procese apo janë bërë me tendencë të caktuar.

Sipas Isufit, kështu ka ndodhur edhe me rastin Limaj.

“Fatmir Limaj lirohet nga haga, një gjykatë shumë kredibile,  kur kthehet në Kosovë ta gëzojë lirinë, ai trajtohet për të njejtën temë me të njëjtët dëshmitarë, të njëjtat përalla. Kjo po e degradon të gjithë atë për çka kemi punuar”, ka nënvizuar Isufi.

Isufi ka vlerësuar se Rasti Kiçina është një temë thelbësore për sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke ditur që ky është vetëm njëri nga shumë rastet ku bëhët padrejtësi e madhe.

Në anën tjetër Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se vëllëzërit Ramadani dhe Kiçina janë dënuar pa fakte dhe pa dëshmitarë.

Selimi ka kërkuar drejtësi për këtë rast.

“Më shumë se një dekadë po vazhdon një padrejtësi, duke përfshirë edhe diskutimet e deputetëve, ne dyshojmë në padrejtësi, e në këtë dekadë janë më shumë se një shekull denim për vëllëzërit Ramadani dhe Kiçina. Këta njerëz janë të dënuar pa fakte dhe pa dëshmitare. Dua të di se a janë vrasës vëllëzërit Kiçina dhe Ramadani, apo vrasës është drejtësia në Kosovë”, ka vlerësuar Selimi.

“Vrasësit janë jashtë, drjetësia nuk mundet me flejtë rehat ky është problemi kryesor. Kjo është ndërhyrje, vllëzërit Kiçina po mbahen brenda ndërsa vrasësit po mbahen jashtë. Rasti duhet me u zbardhë, problemi ma i madhë se nuk ka pushuar drejtësia. Pafajësia e tyre lidhet me besimin në mungesë të provave, rasti është politizu. Unë besoj në këtë rast, andaj duhet me u zbardhë dhe duhet me u zgjidh drjetë”, ka theksuar Haziri./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›