E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët me grada: Duam shpërblim mujor

 Me ndryshimet e bëra, ata nuk trajtohen më financiarisht për gradat, ndërkohë që një trajtim të tillë e merr personeli administrativ

TIRANË- Deputetët me grada shkencore në Kuvendin e Shqipërisë kërkojnë një trajtim më të mirë financiar. Deputetët Neritan Ceka, Arian Starova, Arben Malaj, Pëllumb Xhufi, Gëzim Karapici dhe Gjok Vuksani kanë paraqitur në Kuvend nismën ligjore për ndryshimin e ligjit “Për statusin e deputetit”, duke kërkuar që të sanksionohet në ligj, që të gjithë ata deputetë që kanë kualifikime shkencore të përfitojnë një shpërblim financiar ashtu siç e përfitojnë dhe të gjithë punonjësit e tjerë të administratës shtetërore që kanë një kualifikim shkencor, duke filluar që nga Masterat dhe për të përfunduar me Profesor-Doktorët.

Ligji

Ligji aktual “Për statusin e deputetit” përcakton statusin, detyrimet dhe favoret që gëzon deputeti si përfaqësues i popullit në organin më të lartë ligjvënës gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit të tij. Kështu, ai përcakton se cilat janë marrëdhëniet juridike që krijon deputeti për shkak të funksionit që kryen, marrëdhëniet me organet shtetërore dhe vendore si dhe marrëdhëniet protokollare. Gjithashtu, në të përcaktohen edhe të drejtat dhe përfitimet në fushën financiare, të cilat janë në përputhje me kuadrin legjislativ ekzistues. Përsa i përket trajtimit financiar deputeti, sipas këtij ligji, merr rrogën si ligjvënës, dietat për çdo lëvizje jashtë Tirane, një shpërblim të caktuar për çdo pjesëmarrje në komisionet parlamentare, si dhe një sasi të caktuar karburanti. Ndërkohë që deputetët që kanë gradën Profesor-Doktor dhe që kanë marrëdhënie mësimdhënie me fakultet marrin një shpërblim shtesë, por jo në bazë të ligjit “Për gradat shkencore”, siç edhe përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë një gradë të tillë dhe që janë të punësuar në administratën shtetërore. Duke e konsideruar këtë trajtim të diferencuar si një padrejtësi, përfaqësuesit e popullit me grada shkencore kanë paraqitur projektligjin në fjalë, duke kërkuar, siç shprehen ata në relacionin shoqërues, një të drejtë të mohuar padrejtësisht. Duhet theksuar se deri në vitin 2007 deputetët e përfitonin këtë drejtë në bazë të një ligji të mëparshëm të vitit 2001, por me ndryshimet e bëra, ata nuk trajtohen më financiarisht për gradat shkencore, ndërkohë që një trajtim të tillë e merr personeli administrativ dhe mbështetës i Kuvendit.

Ndryshimi

Sipas projektligjit “Për një shtesë në ligjin për statusin e deputetit” kërkohet që në trajtimin financiar të deputetit duhet të gjejë pasqyrim edhe shpërblimi i tij për kualifikimin dhe gradat shkencore që ka marrë në profesionin e tij para se të bëhej deputet. Me anë të këtij ndryshimi synohet që të vihet në vend e drejta për trajtimin e deputetëve edhe në bazë të kualifikimeve shkencore, ashtu siç e kishin përfituar deri në vitin 2007. Gjithashtu, parashikohet që masa e shpërblimit të jetë në varësi të gradës shkencore që çdo deputet zotëron. Në rast se një projektligj i tillë do të kthehej në ligj atëherë masa e deputetëve përfitues do të ishte 24, nga të cilët, 13 me gradën shkencore Profesor-Doktor, 1 Profesor i Associuar dhe 10 Doktorë të Shkencave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›