Apeli i Ramës: Berisha të mos shkelë rregullat e demokracisë
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmes një apeli publik, i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të mos shkelë rregullat më elementare të demokracisë.
“Dua t'i bëj sot një apel kryeministrit Berisha për të korrigjuar pa humbur kohë gabimin trashanik të shkeljes së barazisë së subjekteve politike e shoqërore në hapësirën e mediave elektronike të vendit dhe për të hequr dorë nga presioni abuziv mbi ato media që në ushtrim të lirisë së tyre kushtetuese e ligjore transmetuan një spot kritik të një organizate shoqërore jofitimprurëse ndaj qeverisë”,- tha dje Rama në fillim të konferencës. Kreu i PS-së i bëri apel kryeministrit Berisha për të mos e provokuar më tej opozitën duke përdorur lekët e shqiptarëve për një fushatë elektorale të paligjshme, “të njëanshme dhe kërcënuese ndaj lirisë së shprehjes e të informimit të publikut në mediat elektronike”. “Dua t'i bëj sot apel kryeministrit Berisha për të mos bërë as rolin e shurdhit ndaj kësaj kërkese legjitime të opozitës dhe as rolin e budallait në raport me ligjin e me vetë vendimet e qeverisë së tij, që e ndalojnë shprehimisht spotin propagandistik të prodhuar e të transmetuar me lekët e shqiptarëve për llogari të interesit politik e partiak të Sali Berishës”,- tha Rama. Për pasojë, kryetari i PS-së ka kërkuar që të ndalohet njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, ose të lejohet njësoj me ligj, për të gjitha subjektet politike, spotet televizive jashtë periudhës elektorale të përcaktuar nga ligji. “Të mos ketë asnjë kufizim ligjor për spotet sensibilizuese të subjekteve të shoqërisë civile për problemet e vendit e të qeverisjes së tij në nivel qendror e vendor”,- tha ndër të tjera Rama.