E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Alibeaj kundër juristëve në përbërje të seksioneve

08/07/2010 Policia Gjyqësore merr votat e mazhorancës

Ligjvënësit e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve kanë përfunduar gjatë mbledhjes së djeshme edhe miratimin e ndryshimeve që Qeveria kishte parashikuar për ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”. Pas amendimeve të deputetëve, të cilat më shumë kishin të bënin me ndryshime teknike sesa thelbësore, komisioni miratoi projektin. Por ndryshimet nuk u përkrahën nga të gjithë deputetët e djathtë. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u deklarua kundër lënies në përbërjen e seksioneve të Policisë Gjyqësore të juristëve që emërohen nga Prokurori i Përgjithshëm, si dhe shfuqizimit të dispozitës ligjore që heq kufizimin e numrit të tyre. Sipas ligjit aktual, juristët me cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore mund të përbëjnë jo më shumë se një të katërtën e numrit organik të seksionit të Policisë Gjyqësore. “Kemi një denatyralizim të funksioneve të Policisë Gjyqësore. Juristët nuk janë forca policore të mirëfillta. Në këtë mënyrë ndodh një tjetërsim i veprimtarisë hetimore, duke anashkaluar funksionet e Policisë Gjyqësore. Kjo ka bërë mosgjetjen e frymës së bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore”, tha Alibeaj. Por për këtë çështje kanë rënë dakord tre titullarët: Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Drejtësisë dhe i Brendshëm, duke rrëzuar në këtë mënyrë propozimin e deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›