E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen 23 mijë kuotat pranimit

08/07/2010 Pranimet në universitetet publike për 2010, lista e shpërndarjes së kuotave për gjithë fakultetet

Tarifat e shkollimit edhe për vitin akademik që vjen nuk do të pësojnë ndryshime.

Më shumë se 23 mijë studentë të rinj do të pranohen në auditorët e universiteteve publike në nisjen e vitit të ri akademik gjatë muajit tetor. Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme kuotat zyrtare të pranimeve për të gjitha programet që do të ofrohen në arsimin e lartë publik të vendit. Ashtu sikundër edhe pritej, numrin më të lartë të pranimeve për këtë vit do vijojë ta ketë Universiteti i Tiranës, i cili njëherësh rezulton të jetë edhe më i preferuari nga vetë nxënësit e shkollave të mesme. Megjithatë, nuk mbeten pas as Universiteti Politeknik dhe ai Bujqësor. Po ashtu, rritje të kuotave të pranimeve janë aprovuar edhe për universitetet e rretheve. Lidhur me këto kuota, Kryeministri Berisha është shprehur: “Kam kënaqësinë tju njoftoj se krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje prej 11 për qind të pranimeve. Konkretisht numri i studentëve që këtë vit akademik do të pranohen në universitetet publike të vendit arrin në 23534. Këta të fundit do të shpërndahen në 181 degë dhe profile të këtyre shkollave”. Përzgjedhja e tyre do të kushtëzohet nga rezultatet e arritura në procesin e Maturës Shtetërore. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën e kuotave të pranimit për secilin nga universitetet dhe fakultetet përbërëse të tyre.

Tarifat

Kostoja e shkollimit nuk do të pësojë ndryshime as gjatë viti të ardhshëm akademik. Lidhur me tarifat e shkollimit, Kryeministri theksoi se ato nuk do të rriten, pasi ky është një premtim elektoral, të cilit Qeveria do ti përmbahet. Gjithashtu, Kryeministri ka bërë të ditur se shumë shpejt do të organizohen një seri diskutimesh dhe debatesh me drejtues të universiteteve për mekanizmin financiar të universiteteve, ku do të vendoset se cila do të jetë rruga e financimit. “Do të kontraktojmë mekanizma të reja financiare për studentët, do të krijohen mundësi të reja, do të fillojë sistemi i kreditimit, si kudo dhe këtu, dhe të gjitha këto do të bëjnë të ketë një frymëmarrje financiare më të madhe nga ana e universiteteve.”

Degët e shkencave

Risia kryesore e pranimeve të 2010-s qëndron në faktin se do të pranohen tri herë më shumë studentë në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë (ICT). Sipas Kryeministrit, kjo rritje është e domosdoshme, në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë dixhitale. Konkretisht, gjatë këtij viti është rritur në 17 numri i shkollave profesionale që kanë degë të ICT-së, teksa do të trefishohet numri i studentëve që do të pranohen në degët e teknologjisë së informacionit. Në 20 degë të kësaj teknologjie pranohen këtë vit, në sektorin publik, 4170 studentë. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se në degë të lidhura me teknologjinë e informacionit, shkenca inxhinierike, shkenca natyrore, marrin këtë vit 33 për qind të të gjitha pranimeve, ndërkohë që ka një rrudhje në degë të tjera, ku kërkesat e tregut janë të pakta. Gjatë mbledhjes, Kryeministri edhe një herë tjetër ka vënë theksin te përmirësimi i teksteve që do të përdoren gjatë procesit mësimor, duke larguar nga përdorimi tekstet e “mykura”, të cilat nuk përmbajnë ndryshimet e fundit të kohës.

Kufiri minimal i pikëve për

programet më të kërkuara

Nxënësit që kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike duhet të tregojnë kujdes në përzgjedhjen e preferencave të formularit A2. Para se të bëjnë renditjen e degëve, ata duhet të llogarisin vetë rezultatin final të pikëve nga të gjithë komponentët përbërë të maturës. Rezultatin final që do të dalë nga kjo përllogaritje duhet ta krahasojnë me pikët e fundit të pranuara gjatë vitit të shkuar në secilin prej këtyre programeve. Në këtë mënyrë ata do të kenë mundësi që të bëjnë një diferencim të degëve ku kanë më shumë probabilitet për tu shpallur fitues. Po ashtu, për të siguruar sa më shumë pikë gjatë përzgjedhjes është e rëndësishme që të listohen ato degë, të cilat janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme të kryer. Kjo, pasi në këto raste edhe koeficientët do të jenë më të lartë, çka lejon grumbullimin e më shumë pikëve. Në këtë mënyrë, një maturant që ka mbaruar një shkollë të mesme të profilit shoqëror do të përfitojë më shumë pikë gjatë llogaritjes, nëse do të përzgjedhë degë të profilit shoqëror, sesa po të rendisë degë që i përkasin profilit natyror të shkollës së mesme. Një rol të rëndësishëm do të luajë edhe mesatarja e shkollës së mesme. Për programet më të kërkuara, siç janë degët e Mjekësisë, Drejtësisë, Shkencave Sociale, Arkitektura, Ekonomiku janë pranuar nxënësit me mesataren me notën tetë e lart. Bashkëngjitur shkrimit do të gjeni edhe pikët e fundit të pranuara në degët më të kërkuara gjatë vitit të shkuar.

Tabelat konkrete ne gazeten e dale ne treg

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›