Deputeti Dugolli
-490x320.jpg)
Bujar Dugolli është duke pritur një thirrje nga Kuvendi i Kosovës i gatshëm që t’i hyjë procedurave teknike për t’u zyrtarizuar si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ish-ministri që gjendet në listën e kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të vitit 2007, thotë se po pret që të konfirmohet si deputet sapo Rasim Selmanaj të certifikohet si Kryetar i Komunës së Deçanit.
“Kam informacione se administrata e Kuvendit po i pret listat nga KQZ. Unë do të prononcohem në momentin kur e marr konfirmimin që të shkoj atje për t’u certifikuar”, ka thënë Dugolli për Express, të shtunën. Sido që të jetë, kjo është hera e parë që Dugolli flet hapur për interesimin e tij që të jetë deputet. Më herët, sa herë që është kontaktuar nga gazetarët, ai ishte shprehur se pret me durim rezultatin e votimeve për kryetarë të komunave.
Përcaktimi i AAK’së që Rasim Selmanaj të jetë kandidat për Kryetar të Deçanit kishte qenë shumë i favorshëm për të. Si një vend ku AAK e kishte të sigurt fitoren, edhe Bujar Dugolli ndjente siguri se fillimi i vitit 2010 do ta gjejë brenda në Kuvendin e Kosovës me ulëse deputeti. Ligji për Zgjedhjet në Kosovë thotë se në rast se ndonjë nga deputetët aktualë lirojnë ulësen për çfarëdo arsyeje, atëherë është Kryetari i Kuvendit të Kosovës ai i cili duhet ta iniciojë procedurën e zëvendësimit me anë të një shkrese dërguar Presidentit të Kosovës. Më pas Presidenti e njofton KQZ’në për situatën dhe kërkon nga KQZ që ta shikojë listën e kandidatëve për ta certifikuar deputetin e ri. Pasi Presidenti e merr njoftimin nga KQZ, ai menjëherë e informon Kryetarin e Kuvendit për vendimin e KQZ’së.
Por Ismet Krasniqi, Sekretar Permanent i Kuvendit të Kosovës, thotë se administrata ende nuk ka marrë shkresë zyrtare nga KQZ për ndryshimet në përbërjen e Kuvendit. “Jemi në pritje të marrjes së një shkrese zyrtare nga KQZ. Ata duhet të na njoftojnë se cili deputet do të largohet në detyrë tjetër në mënyrë që ne t’i fillojmë procedurat e zëvendësimit”, thotë Krasniqi për Express.
Në bazë të rregullave zgjedhore në fuqi, posti i deputetit i takon vetë kandidatit e jo partisë për të cilën ai ka kandiduar. Ndërsa zyrtarë të lartë të AAK’së pranojnë se më me dëshirë ulësen e lënë nga Selmanaj do t’ia kishin lënë Liderit të partisë, Ramush Haradinaj.
Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, ka thënë për Express sado që, sipas ligjit, ulësja i takon Dugollit, “e moralshme është që ai të veprojë ashtu si duhet”.
“Meqë ai (Dugolli) nuk pajtohet me partinë që i ka fituar votat, do të duhej të tërhiqej. Megjithatë e drejtë e tij është që të vendosë”, ka thënë Ahmet Isufi. Sipas tij, partia nuk e ka diskutuar asnjëherë mundësinë që Haradinaj të hyjë në Parlament përmes kësaj mundësie siç nuk është diskutuar, sipas tij, as opsioni që Dugollit t’i bëhet ftesë të hyjë në Grupin Parlamentar të AAK’së.
Por, ai thotë se do ta dëshironte ta ketë Liderin e partisë në përbërjen parlamentare. “Do të ishte mirë që Haradinaj të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës, sepse do të kishte kontribuar”, thotë Nënkryetari i AAK’së. Ndërsa Dugolli të shtunën është shprehur të mos ketë vendosur ende nëse do të veprojë në Kuvend si deputet i pavarur apo do t’i bashkohet ndonjë grupi parlamentar.
Më i votuari në zgjedhjet për deputetë në vitin 2007 nga AAK doli Ramush Haradinaj me 34748 vota. Bujar Dugolli qe renditur i nënti me 6969 vota, por nuk ka mundur të sigurojë vend në përbërjen e parë të Grupit Parlamentar. Duke qenë se në atë kohë vazhdonte procesi ndaj tij në Gjykatën e Hagës, Haradinaj nuk mundi ta marrë ulësen e deputetit. Ai vendosi madje as të mos e ngrijë atë, por ia la Et’hem Çekut. Kësisoj Bujar Dugolli mbeti i pari në “listën e pritjes” për t’u bërë deputet varësisht ndryshimeve brenda Grupit Parlamentar të AAK’së.
Por, procesi i reformave të cilit i priu Haradinaj pasi u shpall i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë në Hagë e la jashtë partisë Bujar Dugollin. Në pranverë të këtij viti, Kryesia e AAK’së vendosi që ta lirojë këtë të fundit nga çdo post partiak. Në tri vitet e qeverisjes LDK-AAK, Bujar Dugolli kishte mbajtur postin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.