Sulme të reja kundër militantëve në Pakistan
Dy raketa, për të cilat besohet se janë shkrepur nga një fluturake amerikane pa pilot, kanë vrarë 13 militantë në rajonet fisnore në Pakistan, ka njoftuar sot një zyrtar i shërbimit të inteligjencës.
Në mesin e të vrarëve ishte edhe komandanti i talebanëve, Abdur Rehman, i cili është pjesë e rrjetit që vepron në Afganistan.
Incidenti ka ndodhur në fshatin Saidgi, në Vaziristanin Verior, ka thënë ky zyrtar, i cili deshi të mbetet anonim, ngase nuk ishte i autorizuar që të flet për medie.
Zyrtari theksoi se në shënjestër të këtij sulmi ishte vënë një shtëpi. SHBA-ja nuk jep komente për sulmet e raportuara me fluturake pa pilot.
Sidoqoftë, SHBA-ja është vendi i vetëm që operon në rajon, me aftësi që të ndërmerr sulme nga fluturakët pa pilot, të cilat kontrollohen nga larg.
Në pjesët tjera të Pakistanit, pesë fëmijë kanë humbur dje jetën, pas shpërthimit të një bombe në veriperëndim të Pakistanit, kanë theksuar zyrtarët.
Bomba ishte vendosur para shtëpisë së Sarfaraz Khanit, zyrtar i cili ka ndihmuar në administrimin e rajonit Sadda, në Kurram.
Si pasojë e këtij sulmi janë plagosur edhe tre anëtarë të familjes së Khanit.
Qeveria e Pakistanit është duke vazhduar ofensivën ushtarake, për të dëbuar militantët nga brezi kufitar i këtij vendi me Afganistanin. Militantët nga ana e tyre kanë iniciuar një seri të sulmeve të përgjakshme brenda Pakistanit, për t’u hakmarrë për operacionin e ushtrisë.