Deputeti Tahiri: Krimi po mbyt Shqipërinë, të largohet Berisha
Reagimi
Rrugët lahen me gjak nga aksidentet skandaloze, Berisha noton e mban rekorde
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri, në një deklaratë për mediat, tha se përgjegjës për masakrat dhe vrasjet që po ndodhin në Shqipëri është Kryeministri Sali Berisha. U mbyll dhe një tjetër fundjavë me bilanc të denjë lufte, ndërkohë që sot filloi java po njëlloj; vrasje, plagosje, aksidente me pasojë vdekjen dhe plagosjen, vjedhje, grabitje e plot të tjera. Vendi i është kthyer terrorit të kriminelëve ordinerë dhe bandave mafioze. Ca vjedhin e vrasin, të tjerë grabisin e vënë gjoba ndaj sipërmarrësve, ndërkohë që shteti është gjunjëzuar i tëri. Për vjedhjet dhe grabitjet, për aksidentet rrugore, për plagosjet dhe vrasjet, ka vetëm një përgjegjës dhe ky është Sali Berisha. Përgjegjësi që fillon që nga emërimet në pozicionet kyç të shtetit të militantëve partiakë, por të paaftë për një punë, te mungesa e burimeve financiare dhe infrastrukturore, e deri te mungesa e vullnetit për të qeverisur e për të garantuar standard minimal sigurie dhe garancie për jetën e çdo qytetari shqiptar, tha Tahiri. Sipas deputetit socialist qytetarët grabiten në mes të ditës, ndërkohë që Sali Berisha dërdëllit për imunitetin. Vriten në rrugë, në shtëpi, në plazh, në qytet e fshat, ditën e natën, ndërkohë që Sali Berisha grabit institucionet e pavarura, siç bëri më së fundi me KLD dhe SHISH me ndihmën e President Bujarit. Rrugët lahen me gjak nga aksidentet skandaloze ku humbin jetën fëmijë, të rritur e të moshuar, ndërkohë që Sali Berisha mban rekorde noti. Shqipëria digjet, e Sali Berisha krihet, do thoshte populli. Kush do ta dënojë Ndrea Prendin dhe gardistët e tjerë, kur gjyqin ndaj tyre e kryeson po e njëjta gjyqtare që la të lirë vrasësin që i mori jetën një gruaje për varësen para pak ditësh. Si mund të dënojnë hajdutët e kriminelët gjyqtarët e korruptuar, kur Sali Berisha dhe President Bujari emëruan Çefën në krye në krye të KLD-së, qeverinë e gjyqësorit, njeriun që më së pari i duhet të mbyllë çështjet e veta gjyqësore për grabitje pronash. Kush do ta garantojë rendin dhe sigurinë kur Shërbimi Informativ Shtetëror nuk është më institucion i pavarur, sepse u grabit nga Sali Berisha dhe iu rikthye një militanti qorr që për eksperiencë pune ka kohën e SHIK-ut të Gazidedes dhe marrëdhëniet me jashtë në PD, theksoi Tahiri. Më tej, ai theksoi se pa u shkulur Sali Berisha, nuk mund të rikthehet drejtësia në vend. Nuk mund të garantohen institucionet e pavarura, Prokuroria, Gjykata, Shërbimi Informativ Shtetëror në radhë të parë, nuk mund të ndëshkohen ata që fshihen pas imunitetit, e po kështu, edhe grabitësit, hajdutët, kriminelët dhe bandat që po bëjnë kërdinë dita-ditës. B. Hoti
Deklarata
Pa u shkulur Sali Berisha dhe qeveria e tij, nuk mund të rikthehet qetësia dhe garancia për jetën e qytetarëve, sepse i pari që e kërcënon, është vetë Sali Berisha
Deputeti Tahiri: Krimi po mbyt Shqipërinë, të largohet Berisha burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip