OMONIA vijon normalisht censusin, 15 mijë të regjistruar vetëm në Sarandë
Procesi
Drejtuesi i organizatës në këtë qytet, Llambi Panteqi, deklaron se shifrat e të regjistruarve pritet të rriten
Përfaqësuesit e Omonia-s prej gati tri javësh kanë nisur procesin e regjistrimit të minoritetit grek në të gjithë vendin. Lajmi konfirmohet për Shqip nga ana e drejtuesit të organizatës Omonia të Sarandës, Llambi Panteqi, i cili thekson se kjo organizatë është shumë e kënaqur nga mënyra sesi po ecën ky proces. Pavarësisht faktit se ky proces regjistrimi do të vijojë deri në fund të këtij viti, kanë mjaftuar tri javë që vetëm në rrethin e Sarandës të regjistrohen 15 mijë minoritarë. Procesi ka nisur normalisht duke nisur nga 23 korriku në të gjithë vendin, por sigurisht që ritmi më i lartë i regjistrimit ka ndodhur në Jugun e vendit. Aktualisht që po flasim vetëm në rrethin e Sarandës janë regjistruar 15 mijë minoritarë dhe numri pritet të rritet duke nisur nga fakti se qytetarët kanë dhe pesë muaj në dispozicion për tu regjistruar, theksoi Panteqi në një prononcim për Shqip. Lajmi për nisjen e procesit të regjistrimit të minoritetit grek nga Omonia u konfirmua në muajin qershor nga kreu i kësaj organizate, Vasil Bollano në një intervistë për Top Channel. Këshilli i Përgjithshëm i Omonia-s i cili ka në përbërje të tij dhe kryetarët e degëve të kësaj organizate ka marrë pak muaj më parë vendimin për të nisur procesin e regjistrimit të minoritetit grek. Vasil Bollano, kreu i kësaj organizate deklaroi se procesi i regjistrimit do të niste në fund të korrikut dhe do të zgjaste deri në dhjetorin e këtij viti. Ky vendim sipas Bollanos, është marrë për shkak të problemeve që pati procesi i censusit kombëtar dhe për shkak të vonesave që po vijnë nga INSTAT për publikimin e të dhënave të mbledhura për entin e qytetarëve që jetojnë në Shqipëri. Ne kritikuam dhe nuk mund të pajtohemi me mënyrën e realizuar të këtij procesi. Patjetër përpjekjet tona ishin me institucionet shqiptare, me organizmat ndërkombëtarë, që mbështesin ekonomikisht dhe për zhvillimin demokratik të vendit, por nga ana e institucioneve përkatëse nuk pati një reagim pozitiv, deklaroi Bollano. Sipas tij, Omonia kishte të gjithë të drejtën ligjore për ta kryer këtë proces dhe e drejta për regjistrimin e minoritetit buronte pikërisht nga programi dhe statuti i kësaj organizate. Përfaqësuesit e Partisë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet ishin të parët të cilët kundërshtuan regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike, por me dy amendamente që ata imponuan e bënë pothuajse të pamundur abuzimin me këtë çështje. Në lidhje me deklaratat e Bollanos, sekretari politik i PDIU-së, Ardian Tana, deklaroi se reagimi i Bollanos vjen për shkak se tashmë nuk ka më mundësi abuzimi me këtë proces. Amendamentet e propozuara nga PDIU në ligjin për censusin shqetësuan të gjitha qarqet antishqiptare. Menjëherë pasi këto dy amendamente u miratuan, Ballano, Dule dhe kompani të gjithë ata që kishin ushqyer orekse shoviniste u hodhën në sulm kundëra këtij censusi, kundër këtij regjistrimi të popullsisë. Përpjekjet e tyre janë në vazhdën e përpjekjeve të nisura më herët për të hedhur baltë mbi këtë proces i cili ende pa i dhënë rezultatet e veta zyrtare paragjykohet, ka theksuar Tana në lidhje me këtë çështje.
F.Mejdini
INSTAT - Instituti i Statistikës ende deri tani nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me censusin që po zhvillohet nga organizata Omonia
PDIU - Ishte e para që kundërshtoi regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike, por me dy amendamente që ata imponuan e bënë pothuajse të pamundur abuzimin
OMONIA vijon normalisht censusin, 15 mijë të regjistruar vetëm në Sarandë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip