Deputeti i PD, Shehu: Rama të kërkojë falje, urdhëroi deputetët të mos votonin rrugën e Arbrit. Brenda vitit nis ndërtimi i tunelit
“Kandidatët e Ramës për deputetë, një miliarder zëvendësohet nga një miliarder tjetër”
“Brenda vitit do të nisë ndërtimi i tunelit për Rrugën e Arbrit”. Kjo ka qenë deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, në kundërpërgjigje të pretendimeve të kryetarit të PS-së për premtime të pambajtura nga qeveria “Berisha”. Sipas tij, deklaratat e kreut të PS, Edi Rama për Rrugën e Arbrit, ishin absurde. “Z. Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite”! Dje dhe sot Z. Rama vijoi fjalimin e tij absurd por veprat e tij nuk i përputhen me fjalët. Z. Rama mund te ketë parrulla, por ai nuk ka punët apo faktet për t’i mbështetur ato. Sajesa e fundit që vjen nga z. Rama, sulmi i tij për Rrugën e Arbrit, me të cilën mendon të gënjeje qytetaret që të harrojnë veprimet e tij për të kundërshtuar këtë rrugë. Z. Rama e ka kundërshtuar këtë rrugë në çdo moment dhe ka bllokuar progresin. A është Z. Rama aq i dëshpëruar për pushtet saqë tani me hipokrizi shkon ne Dibër dhe u kërkon banoreve për të shpaguar veprimet e tij bllokuese? A mendon ai se kjo sajese e fundit do të gënjejë Shqiptaret?
A mendon z. Rama se duke zëvendësuar një miliarder me një miliarder tjetër për Deputet njerëzit do të harrojnë veprimet e tij bllokuese? E vërteta është se Z. Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit te kësaj rruge 3 herë rresht, dhe hera e fundit vetëm para 3 muajsh, dhe se z. Rama ka përdorur çdo mundësi për të bllokuar progresin për qytetaret me kusht që të marrë diçka për vete. Rruga e Arbrit është premtimi solemn i PD-së si një rrugë e dytë e kombit dhe pavarësisht sajesave të z. Rama, ndërtimi i saj ka filluar dhe po ecën përpara. Ndërkohe që çështjet teknike kanë vonuar tunelin e Murrizit, tani që janë sqaruar këto probleme, brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe të urës së Vashës. 30 km janë ndërtuar tashmë (pauze) dhe ndërtimi po vijon si nga Bulqiza edhe nga Tirana. Gënjeshtra e fundit e Z. Rama është absurde dhe qesharake. Z. Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite!”- deklaroi deputeti demokrat, Sherefedin Shehu.