E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, Vasili: PS s’ka program - idetë e shprehura janë të përgatitura nga joprofesionistë

17-03-2013 / Gazeta 55

Nënkryetari i LSI-së: Rama tregoi mungesë të edukatës qytetare në Bulqizë – votimi i 16 vjeçarëve, nismë e realizueshme

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaron se PS s’ka ende një program të mirëfilltë, ndërsa idetë e shprehura, sipas tij janë të përgatitura në mënyrë amatoreske nga joprofesionistë. Për z.Vasili, shëndetësia është pjesa e programit të socialistëve që e bind më pak. Ai vlerëson se, mungon thellimi dhe se modeli falas i propozuar nga Partia Socialiste, po dështon edhe në ato pak vende ku është aplikuar. “Duhet të pranojmë që s’ka program pasi vetë PS thotë që është duke e përgatitur atë. Deri më tani kemi propozime empirike amatoreske konstatuese. Gjëkundi nuk gjenden hartuesit e programit, këtu nuk ka program, s’ka ide riprodhohen modele që aplikohen në shumë pak vende, të cilat janë në krizë”, u shpreh Vasili.
Ndërsa duke iu referuar incidentit mes socialistëve dhe kryetarit Rama në Bulqizë, Vasili shprehu keqardhjen për atë që e cilësoi “mungesë të edukatës qytetare”.
Vasili këmbënguli se politika duhet të lërë mënjanë përçarjet në emër të integrimit. “Dita e zgjedhjeve nuk duhet të lidhet me 3 ligjet”, tha numri dy i LSI-së. “Jemi këtu përpara jush duke ripërcjellë për të disatën herë shqetësimin tonë madhor lidhur me problematikat e integrimit evropian. Përpara Shqipërisë dhe politikës shqiptare ekziston një detyrë, e cila duhej përmbushur me kohë, ajo e miratimit të tri ligjeve përkatëse, por ne konstatojmë me keqardhje të madhe që kjo detyrë jo vetëm që kanë ngelur në periferi të politikës por gjithashtu ajo po përdoret rëndom si një mundësi dhe instrument i betejës politike. Nuk do të thotë aspak se më 23 qershor kemi një ditë të madhe larjesh hesapesh me njëri-tjetrin por kemi thjesht dhe vetëm një mundësi që qytetarët me votën e tyre të shprehen për ata që i bindin më shumë dhe që pranojnë t’i qeverisin dhe për të tjerët të cilëve u vënë detyrën për të bërë opozitë. Nuk mundet kurrsesi që integrimi të lidhet me këtë datë, do të ishte një gabim i rëndë dhe historik për politikën shqiptare, sepse në fund të fundit integrimi kërkon në vetvete gjithmonë dialog dhe komunikim politik. Nuk do të thotë 23 qershori të riprodhojmë atë fenomenin që opozita, cilado qoftë ajo, të përsëri një taktikë bllokimi dhe pengimi procesi por e kundërta duhet të ndodhë, dialogu duhet të vazhdojë. Në fund të fundit apeli i vetëm që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Nga Bashkimi Evropian është dialogu dhe vetëm dialogu”- u shpreh Vasili.
Sipas tij, votimi i ligjeve për integrimin nuk është tjetër veçse përmbushja e një detyre shumë të rëndësishme lidhur me këtë proces, por do të thotë para së gjithash ndërtimin e një filozofie të re komunikimi në politikën shqiptare, thënë më thjesht ndarje nga provincializmi i moskomunikimit dhe i llogoreve ndaj të cilave palët nuk dalin dhe krijimi i asaj klime bashkëpunimi të cilët të gjithë politikanët shqiptarë e përcjellin në mediat e huaja kur shikojnë sivëllezërit e tyre politikanë në Evropë dhe në botë, të cilët ulen dialogojnë dhe bashkëpunojnë. “Pra votimi i këtyre ligjeve do të thotë ndarja një herë e përgjithmonë nga kjo filozofi lufte dhe mosbashkëpunimi. Pra shkon më tej se sa thjesht dhe vetëm votimi i tri ligjeve, do të rindërtim, një filozofi e re e mënyrës së bërjes politikë në Shqipëri”- theksoi ai.
Ndërkaq, ndarjet e politikës mbi votimin e 16-vjeçarëve, Vasili i quajti thjeshtë çështje vullneti. Kjo pasi sipas tij, realizimi i një nisme të tillë është krejtësisht i mundur.

Z. Vasili si e gjykon LSI çështjen e votës së 16 vjeçarëve? Duhet apo jo dhe mund të bëhet një reformë e tillë për zgjedhje e 23 qershorit?

Për sa i takon përfshirjes në vendimmarrje të kësaj kategorie moshe përgjigje LSI-ia i ka dhënë kohë më parë duke i bërë pjesë të anëtarësisë së saj, duke u krijuar mundësinë e anëtarësimit që në moshën 16 vjeç, e kësisoj të jenë pjesë edhe e garave elektorale brenda partisë. Pra ne i kemi përfshirë ata në vendimmarrje. Kështu që opinioni ynë është i palëkundur. Jemi të kënaqur që edhe z. Berisha ka përqafuar një ide të tillë duke i dhënë një dimension tjetër, për t’i dhënë mundësi për të votuar. Njëkohësisht do të thosha se nuk e kuptoj do hezitimin e të tjerëve se në rast se kemi qoftë edhe një shtet të vetëm që është Austria, me një traditë historike perandorake, me një të kaluar aristokratike, me një funksionim të shtetit ligjor thuajse nga më perfektët në Evropë, e ka pjesë të procesit të tyre. Pse duhet të kishte hezitim Shqipëria këtu? Kështu që përgjigjja jonë është që ky proces mund të ecë përpara nëse dëshirë. Ne kemi prova spektakolare të mirëkuptimit edhe për 60 minuta ku ¾ e Kushtetutës së vendit janë ndryshuar. Besoj ndryshimi i një neni të tillë nuk do të kërkonte më shumë se sa 5 minuta.

Po realizohet kjo për zgjedhjet e 23 qershorit?

Vullneti është çështja thelbësore. Kur ka pasur vullnet ju keni vënë re që Kushtetutat kanë ndryshuar brenda një nate, kodet zgjedhore të mosmiratuara por muaj e muaj të tëra janë përfunduar brenda dy orësh. Pra është çështje vullneti. Ne kemi besim të plotë se 16-vjeçarët janë një kategori e rëndësishme, mjaft mirë e formuar dhe me mentalitet krejt ndryshe. Duhet të përfshihet në jetën e vendit. Ka dhe forca të tjera politike, siç është PS-së që ju i referoheni që janë refrektare në këtë drejtim. Kjo është çështje ndarje filozofie.

Z. Vasili, cila pari ju duket më e besueshme apo e ndershme për të bërë koalicion, Partia Demokratike apo Partia Socialiste?

Ne kemi bashkëpunuar edhe me Partinë Demokratike edhe me Partinë Socialiste. Misioni dhe vlerësimi ynë është ky që LSI në të gjitha marrëveshjet, qoftë me atë të bërë vite më parë, të vetmen marrëveshje që kemi pasur me partinë Socialiste në vitin 2007 që mundësoi në rizgjedhjen e Edi Ramës kryetar të Bashkisë së Tiranës, qoftë në një garë të përbashkët që ne zhvilluam në vitin 2011 me partinë Demokratike, LSI ka stabilizuar, dhe këtu besoj nuk ka askush një koment të kundërt me këtë, standardin e korrektesës dhe ndershmërisë në respektimin e marrëveshjeve deri në fund, me këdo me të cilin ajo ka marr vendimin politik për tu marr vesh. Dhe ky standard është besoj që është një prurje e madhe në politikën shqiptare përkundrejt bizantinizmit, pabesive pa fund që e kanë karakterizuar atë, duke dhënë të kuptoj që serioziteti në marrjen e marrëveshjeve është ajo që u duhet shqiptarëve. Ndërsa papërgjegjshmëria dhe reflektimi negativ më pas vetëm kanë krijuar probleme të shumta dhe kanë rënduar situatat dhe bashkëpunimin politik.

A keni ndonjë koment për incidentin që ndodhi në mbledhjen e fundit të Partisë Socialiste në Bulqizë?

Sigurisht që nuk kam asnjë koment nga pikëpamja politike, për mënyrën se si organizohet një forum politik është në të drejtën e tij, idetë që diskutohen janë në të drejtën e çdo force politike. Sigurisht kam një keqardhje për elementet e edukatës qytetare të cilat u reflektuan në atë takim sepse besoj që këto elemente të edukatës qytetare janë pronë e të gjithë publikut dhe ndërkohë që punohet fort me misionin për të ndërtuat një politik të mirë dhe me etikë të ndryshme, një etikë e nivelit të tillë të ulët krijon dëshpërim.

Z. Vasili, si ju duket programi i partisë socialiste dhe në veçanti kapitulli i shëndetësisë?

Deri tani nuk kemi një program të Partisë Socialiste sepse edhe vet kryetari i saj ka deklaruar që jemi në fazën e përgatitjes së programit. Duke e parë në tërësi të lë përshtypje interesante, të krijon idenë e njerëzve të ardhur nga larg, turistë apo shqiptar emigrantë që i kanë munguar Shqipërisë për dhjetëra vjet dhe vijnë shikojnë këtu dhe bëjnë disa konstatime të sipërfaqshme pa instrumente për implementimin e tyre, pra një ide flu, më tepër një ide empirike amatoreske, konstatuese. Thuajse në këto 20 vite mungojnë vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste, mungojnë 15 vjetët e zotit Rama në politik, pra ekzistojnë shumë probleme dhe fajtor por gjëkundi nuk gjenden ata që janë interpretuesit e programit. Përsa i përket kapitullit të shëndetësisë këtu mund të thuhet përfundimisht që nuk ka program , nuk ka as ide. Edhe riprodhimi në mënyrë shumë empirike, sigurisht i përgatitur nga duar jo profesionistësh, i idesë së shëndetësisë universale, riprodhohen modele të cilat edhe në ato shumë 2 vende ku ato zbatohen janë në krizë të thellë dhe në një reformim të plotë i cili çon drejt hapjes dhe drejt përafrimit me një model të ngjashëm me atë miks që ne kemi përqafuar i cili është i zakonshëm në Evropë. Pra ka mungesë thellimi, profesionalizmi dhe sigurisht mungesë serioziteti. Me pak fjalë sistemi shëndetësor në drejtim të modelit të tij është një model solid dhe mbulimi i të gjithë qytetarëve është universal, pra të gjithë qytetarët mbulohen nga ky shërbim dhe kjo do thënë njëherë e përgjithmonë. Të gjitha spekulimet që  një milion qytetar nuk marrin shërbim shëndetësor e të tjera janë spekulime dhe asgjë më shumë. Sigurisht në sistemin shëndetësor kushdo që kërkon të marri një ndihmë do duhet të paraqesë një dokument të vetëm, ose siguracionin e tij ose statusin e papunësisë apo të varfërisë absolute, të cilën e provon me një dokument. Është e njëjta gjë si të hysh në Partinë Socialiste duhet të paraqesësh një dokument se nuk mund të hyj kushdo.
Të tëra standardet e mëdha të sistemit janë të konsoliduara si disa indikator shumë të rëndësishëm sikurse janë vdekshmëria foshnjore, aksesi për një vizitë të shpejt në shërbim, mbulimi me teknologji të lartë dhe jetëgjatësia janë në një përmirësim të dukshëm që provojnë se modeli dhe filozofia e sistemit është e drejt. Çështja kryesore që ka sistemi është masa e financimit. Sigurisht që edhe në qeverisjen aktuale ka një rritje të financimit në krahasim me 8 vite më parë, por ka vend për një rritje akoma më të rëndësishme dhe më të qenësishme financiare. Çështja është mekanizmave për të shtuar masën e financimit, kurse vet modeli është i konsoliduar dhe të folurit empirik dhe diletant kundër këtij modeli nuk na çon asgjëkund.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›