Deputeti i PD, Tritan Shehu: “Reforma zgjedhore pranë finalizimit, duhet vullnet politik”

Në një kohë kur Parlamenti ka shtyrë me tre javë punën e komisionit të reformës zgjedhore, Tritan Shehu deputet i Partisë Demokratike u shpreh se, nëse ekziston dëshira dhe vullneti i forcave politike mund të arrihet me sukses kjo reformë sipas rekomandimeve të OSBE-së. Shehu tha se ekzistojnë të gjitha kushtet që kjo marrëveshje të mbyllet me sukses. “Sot ne jemi përpara disa gërmave të fundit të ndryshimeve. Nga Partia Demokratike ekziston e gjithë gatishmëria për të mbyllur këtë reformë. Kjo reformë është e nevojshme për forcat politike, për Shqipërinë por edhe si një detyrim ndaj ndërkombëtarëve”, deklaroi Shehu. I pyetur për procedurën e zgjedhjes se Presidentit, deputeti i PD-së tha se zgjedhja e kreut të shtetit ishte në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me ligjin në të gjitha hapat. “Mazhoranca doli me një mendim unik për zgjedhjen e presidentit në ndryshim nga opozita. Kreu i opozitës Edi Rama e përdori procesin e presidentit për të rrëzuar qeverinë, por kjo ishte një zgjedhje e gabuar e kryetarit të PS-së. Ky ishte një ngërç i lidhur me opozitën dhe qëllimet e saja politike”- tha Shehu. Nuk kishte një proces të njëanshëm të zgjedhjes së presidentit. Unë mendoj se procesi ishte gjithëpërfshirës, nuk jep asnjë propozim, nuk jep asnjë emër. “Ky proces tregoi një pjekuri të politikës shqiptare, një emancipim të politikës shqiptare. Kjo mënyrë zgjedhje nuk influencon negativisht në rrugën e integrimit por është një sinjal pozitiv”- theksoi më tej deputeti i PD-së.
Sa i përket debateve të ditëve të fundit për heqjen e imunitetit, Tritan Shehu tha se PD që në mandatin e parë ka kërkuar heqjen e imunitetit por sërish pengesë në mënyrë konstante është bërë PS-ja.