Reformat përfundojnë brenda afateve, opozita të mos bllokojë
Kryeministri Berisha ka ftuar edhe njëherë opozitën të bashkëpunojë për miratimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Me zgjatjen e afatit për miratimin e Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike ka ftuar PS për konsensus, duke kërkuar që afati shtesë të mos përdoret si ultimatum apo mënyrë për të bllokuar statusin e kandidatit
Partia Demokratike reagoi dje pas shtyrjes nga Kuvendit të afatit të komisionit të reformës zgjedhore deri më 12 korrik, duke theksuar se mazhoranca ka vullnet ta konkludojë brenda afateve Kodin e ri zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi tha se PD ka vlerësuar punën serioze të bërë deri sot nga palët në reformën zgjedhore dhe ka bindjen e plotë se, në rast se ekziston vullneti politik, kjo reformë mund të përfundojë brenda afatit të kërkuar nga palët. “Parlamenti me propozim të kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, zotërinjve Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, vendosi të zgjasë deri më datë 10 Korrik afatin e reformës zgjedhore. Partia Demokratike ka vlerësuar punën serioze të bërë deri sot nga palët në reformën zgjedhore dhe ka bindjen e plotë se, në rast se ekziston vullneti politik, kjo reformë mund të përfundojë brenda afatit të kërkuar nga palët”- u shpreh Bardhi. Sipas saj, PD ka miratuar me dhjetëra propozime të paraqitura nga përfaqësuesit e PS si dhe është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e të gjitha problemeve. Selia blu i kujton Partisë Socialiste të ushtrojë të drejtën e saj për konsensus dhe jo për bllokimin e reformave. “Partia Demokratike sqaron shqiptarët se deri sot, në frymën e kompromisit ajo ka miratuar me dhjetëra propozime të paraqitura në Komision nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste për adresimin e rekomandimeve të ODHIR-it dhe është e vendosur në këtë frymë të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të mbetura për shqyrtim. Partia Demokratike uron që edhe pala tjetër ta realizojë, sepse konsensus do të thotë lëshim dhe jo bllokim, dhe se nuk do të përdorë afatin shtesë, për bllokim shtesë”- tha ajo. Gjithashtu, mazhoranca kërkon nga opozita që të paraqesë variantet e saj, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Kryeministri Berisha fton z. Rama që krahas punës së komisioneve për reformën zgjedhore dhe atë të rregullores së Parlamentit, le t’ju kërkojmë anëtarëve të byrosë parlamentare të vendosin me përparësi në rendin e ditës heqjen e imuniteteve për zyrtarët tanë. Ky do të ishte mesazhi më i shkëlqyer që forcat tona politike do t’ju dërgonin zgjedhësve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë dhe miqve e partnerëve tanë kudo që janë, që presin me të drejtë dhe padurim këtë vendim tejet, tejet të rëndësishëm për të ardhmen e tyre evropiane. Partia Demokratike është e vendosur të pranojë në Parlament cilindo variant që të zgjedhë opozita për heqjen e imuniteteve, pra heqjen e imuniteteve me ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që ajo preferon”- deklaroi më tej zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.