E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti socialist, Ilir Beqja: Sistemi nuk ka nevojë për rishikim

Reagimi i PS-PD PD: Qëndrimi ynë, në varësi të sugjerimeve të PS

Edhe pse ende pa një qëndrim zyrtar të vetin, brenda Partisë Socialiste idetë pozitive rreth sistemit zgjedhor në fuqi nuk mungojnë. Deputeti Ilir Beqja u shpreh dje për gazetën “Shqip” se kuadri ekzistues në këtë drejtim nuk ka nevojë për ndërhyrje, të cilat, sipas tij, duhen adresuar në çështjet e administrimit zgjedhor. “Personalisht mendoj se sistemi zgjedhor aktual nuk paraqet nevojën e ndryshimit. Ai jo vetëm është miratuar me një konsensus shumë të gjerë, por edhe u përshtatet kushteve të tanishme politike në Shqipëri. është tjetër çështje për sa i përket administrimit, aty mendoj se ka vend për ndërhyrje dhe duhen rregulluar disa gjëra”, tha Beqja. Ai ka dhënë kështu një opinion që, sipas gjasave, zë një vend të gjerë në opsionet që pritet të parashtrojë selia rozë rreth këtij fakti. Kjo jo vetëm si pasojë e dëmtimit që PS-ja pësoi në vitin 2009, por edhe pse ai është shfaqur si një problem qenësor në thuajse të gjitha proceset elektorale. Gjithsesi prononcimi i deputetit Ilir Beqja, nëse do të shumëfishohet si zë i përgjithshëm i grupit parlamentar të selisë rozë për këtë çështje, priret që të hapë një temë debati me aleatët e saj. Edhe pse në rend kalendarik zgjedhjet e përgjithshme mbeten larg, është e qartë se ndërhyrjet në Kod kurdo që të ndodhin do të jenë definitive, të paktën për raundin elektoral të radhës. Si e tillë, reforma zgjedhore i shtrohet selisë rozë si një sfidë politike me partnerët e vet, bashkëpunimin me të cilët e rigjeti në kuadër të angazhimit të gjerë kundër qeverisë së Sali Berishës. Sesa me rëndësi është qëndrimi i socialistëve në këtë çështje, kjo mund të shihet qoftë edhe nga reagimi i shumicës demokrate. Kështu, burime nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike u shprehën dje se për sa i përket ndryshimit të mundshëm të sistemit zgjedhor, disponimi i shumicës varet nga opsionet e opozitës. “Jemi të gatshëm për çdo lloj sistemi, por normalisht duhet konsultimi me partinë më të madhe të opozitës, që është PS-ja. Në bazë edhe të qëndrimit të saj do të merret vendimi përkatës”, thanë burimet e PD-së për gazetën “Shqip”. Një deklaratë që u bën jehonë prononcimeve të Kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit shumica është e gatshme që të pranojë vullnetin e opozitës për sa i përket ligjit të zgjedhjeve. Brenda këtyre dy qëndrimeve, që ende nuk mbajnë vulën e deklarimit zyrtar të dyshes kryesore politike në vend, mund të vlerësohet se cilido qoftë procesi vendimmarrës ai në finale do të jetë bipartizan. Nga ajo çfarë duket aktualisht, është me vend të pritet një marrëveshje, e cila të mos e cenojë sistemin zgjedhor, që për më shumë kërkon edhe ndërhyrje në Kushtetutë. Nëse një zhvillim i tillë bëhet realitet, atëherë është me vend të supozohet se kostot politike do të priten te aleancat me partitë e vogla, të cilat ose do të bashkohen për të siguruar një peshë specifike elektorale që të diktojë kushte për marrëveshje, ose do të duhet që të kënaqen me koncesionet periferike të dy partive të mëdha. Një përjashtim mund të pritet në këtë rast vetëm për parti me profil të veçantë si PBDNJ-ja, e cila mund të sigurojë teorikisht përfaqësimin e vet, që praktikisht është vënë në rrezik nga krijesa më e re politike, Partia MEGA.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›