Rezoluta e PE: Drejtësia, nën presion
Parlamenti Europian pritet të kërkojë me urgjencë nga Shqipëria hartimin e një strategjie afatgjatë për reformën në drejtësi, implementim të menjëhershëm të ligjeve të miratuara dhe më shumë financim nga ana e qeverisë. Po kështu, PE-ja i bën thirrje qeverisë të mos bëjë përpjekje për kontrollin e këtij sistemi dhe ta mbajë atë larg ndaj çdo lloj forme presioni. Këtë kërkon në mënyrë të qartë amendamenti i hartuar nga vetë raportuesi i PE-së për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, në rezolutën që pritet të marrë miratimin e eurodeputetëve në mbledhjen e nesërme të PE-së. Në amendimin e eurodeputetit Chountis theksohet se reforma në sistemin e drejtësisë është parakushti kryesor për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian dhe për këtë arsye vëmendja ndaj saj duhet të jetë maksimale. “Theksojmë se reformat në sistemin e drejtësisë janë ende në fazën fillestare të implementimit dhe në këtë kuadër bëjmë thirrje urgjente për adaptimin e një strategjie afatgjatë në këtë fushë, duke përfshirë edhe një udhërrëfyes për implementimin e ligjeve dhe masave të ndërmarra”, thekson raportuesi i PE-së për Shqipërinë, i cili ka përgatitur edhe draft-rezolutën. Nga ana tjetër, në mënyrë të qartë në këtë amendim theksohet se pavarësia e sistemit të drejtësisë ndaj presionit qeveritar është thelbësore. “Ne theksojmë se ndarja e pushteteve në një shoqëri demokratike, transparenca, një gjyqësor jo partiak, jashtë kontrollit qeveritar është thelbësor për shtetin e së drejtës”, theksohet në amendamentin e Chountis. Nga ana tjetër, në amendament theksohet se “një fond i mjaftueshëm duhet të gjendet për sistemin e drejtësisë, në mënyrë që puna e tij të jetë sa më efektive në të gjithë vendin”. Drejtësia shqiptare konsiderohet ende si tepër e brishtë dhe kjo u tha qartë edhe nga drejtuesi i misionit europian EURALIUS, Roland Miklau, gjatë mbylljes së fazës së dytë të këtij misioni europian, i cili ka si qëllim të ndihmojë reformat në drejtësinë shqiptare. Sipas tij, në drejtësinë shqiptare ende mbetet shumë për të bërë dhe ka pamundësi për ngritjen e akuzave dhe investigimin e figurave të larta. Nga ana tjetër, shefi i misionit të BE-së për drejtësinë në Shqipëri, theksoi se fatkeqësisht Shqipëria ishte një vend në tranzicion dhe për këtë arsye reforma në drejtësi, ashtu si edhe në fusha të tjera, do të vazhdonte për një kohë të gjatë. Po kështu, edhe shefi i delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, bëri kritikat e tij për drejtësinë shqiptare. Sipas tij, shteti i së drejtës duhet të burojë nga një vizion i plotë dhe strategji gjithëpërfshirëse drejt synimeve të transparencës, përgjegjshmërisë dhe eficensës. Lohan theksoi se një vizion i tillë i gjyqësorit mund të arrihet vetëm nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik dhe se këto sfida duhet të adresohen sa më shpejt. Nga ana tjetër, Lohan kërkoi më shumë kujdes për forcimin e elementit njerëzor në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, investimi te njerëzit e sistemit është kyç për të gjithë reformën. “Shteti i së drejtës vihet në jetë nga njerëzit, aftësitë profesionale, vullneti dhe integriteti i të cilëve janë thelbësore për suksesin e reformës së gjyqësorit”, kujtoi përfaqësuesi i KE-së në Shqipëri, në lidhje me masat që duhen marrë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Ende nuk dihet nëse BE-ja do të vendosë të sjellë një tjetër mision për të asistuar drejtësinë shqiptare në reformimin e saj.
#