E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Ligji i Turizmit duhet ndryshuar, shpesh bëhet pengesë

Aktiviteti Konferenca ndërkombëtare mbi turizmin në Lezhë: Turistë në 12 muajt e vitit

Dje në qytetin e Lezhës, e pikërisht në sallën e memorialit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u zhvillua konferenca ndërkombëtare mbi turizmin dhe perspektivat e tij, ku një ndër pikat kryesore ishte zhvillimi i turizmit në Lezhë. Takimi organizohej nga Bashkia e Lezhës në bashkëpunim me Universitetin Europian të Turizmit në Tiranë. Në fjalën e tij, Nikollë Lesi, zv/monistër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve theksoi që në fillim duhen ndryshuar disa pika në Strategjinë Kombëtare mbi Turizmin, pasi Shqipëria, si një vend mesdhetar e shumë i kërkuar vitet e fundit ka nevojë për një turizëm që të gjallërojë 12 muajt e vitit e jo vetëm në kohën e verës për plazh. “Duke pasur një vend që gjithnjë po ndryshon në të gjitha pikëpamjet, ndonëse ngadalë, por ama përditë, duhet që t’i jepet rëndësi turizmit kulturor, pasi në këtë drejtim mund të shfrytëzojmë potencialin tonë për një turizëm gjithëvjetor”, tha zv/ministri i Turizmit, i cili më tej i mëshoi faktit se ka nevojë për ndryshime të forta në ligjin aktual të turizmit, pasi nuk është favorizues e nxitës, por në disa drejtime, pengues. “Jemi duke ndryshuar ligjin, por nga vjeshta mund të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Lesi, sipas të cilit, ministria apo një institucion tjetër shtetëror, duhet t’i licencojë dhe klasifikojë e natyrisht t’i kontrollojë hotelet e restorantet turistike, pasi sot është krejtësisht vullnetare vendosja e yjeve të hoteleve, çka e ka degjeneruar konceptin e yjeve. Zv/ministri i Turizmit tha se po punon për të vënë rregull në vendosjen e yjeve të hoteleve dhe është angazhuar fort për të bindur faktorët në ministri e jashtë saj se ligji për Turizmin ka nevojë për ndryshime thelbësore. Ndërsa në lidhje me Lezhën, Lesi theksoi se është duke u planifikuar shtrimi i rrugës që shkon nga qendra e qytetit drejt e në kalanë e vjetër të Lezhës, çka e bën të vizitueshme kalanë dhe krejt zonën përreth. Po kështu, po shqyrtohet varianti që lumi Drin të bëhet i lundrueshëm për anije të vogla apo jahte dhe të ndërtohet një miniport në lumë, pranë qytetit, në mënyrë që turistët të vijnë edhe nga deti nëpërmjet lumit drejt e në qytet, ose anasjelltas.

Duke përfunduar, zv/ministri Lesi tha se po punohet për të thithur investime dhjetëra milionë euro për ndërtime të hoteleve të mëdha me të gjitha anekset për pushuesit, pasi në takime me operatorët e huaj turistikë ata kërkojnë të sjellin njëherësh 500 apo më shumë turistë, por nuk ka hotele të tilla në bregdet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›