Deputetja Ermelinda Meksi padit Kuvendin për makinën e saj
Meksi: "Kjo çështje për mua nuk është materiale, por respektim i një të drejte që më
takon sipas statusit që zotëroj."
Kuvendi nuk i jep sqarime për automjetin që deputetja zotëron prej 5 vitesh
Deputetja e Partisë Socialiste Ermelinda Meksi padit Kuvendin për makinën që ka në përdorim. Pas vendimit të mazhorancës për t'u hequr makinat zyrtarëve, një pjesë e këtyre makinave do të shiteshin, dhe sipas ligjit, të drejtën e parablerjes do e kishin poseduesit e tyre.
Për të sqaruar procedurat se çfarë do të bëhej me makinën e saj, deputetja Meksi i ka paraqitur disa shkresa si Kuvendit ashtu edhe Ministrisë së Integrimit, dikaster të cilin e ka drejtuar më parë, por pa mundur dot që të marrë një përgjigje prej tyre.
Automjeti, për të cilin bëhet fjalë është fuoristradë, tip Land Rover, me targa 8700 I i vitit 2002, automjet të cilin deputetja e ka në përdorim që prej pesë vitesh që në kohën kur ka qenë zëvendëskryeministre dhe ministre e Integrimit Europian.
E kontaktuar nga gazeta "Shekulli" deputetja Ermelinda Meksi deklaron se kjo histori meskine, siç e cilëson ajo, nuk është çështje materiale, por respektim i një të drejte sipas statusit që gëzon.
Historia
Një prej letrave të fundit që deputetja e PS-së i ka dorëzuar Kuvendit mban datën 17 qershor 2010 me nr. protokolli 1581 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Për letrën e saj Meksi ka vënë në dijeni edhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Por deputetja Meksi nuk ka mundur që të marrë një përgjigje prej Kuvendit. "Edhe këtë radhë si dhe me parë, nuk mora përgjigje duke rrezikuar përsëri historinë e kungulleshkave që administrata e Kuvendit, sigurisht nën presion politik, bën me ne dhe pastaj në mënyrë të paturpshme na diskuton makinat kur vetë znj. Topalli sapo ka blerë makina të reja dhe të shtrenjta.
Me daljen e ligjit të ri për makinat, mendova se, kjo makinë nuk i hyn në punë kujt, sepse sipas ligjit duhet të dalë në ankand, nëse deputeti që e ka në përdorim nuk e blen sipas ligjit mbi statusin e tij."
Por kjo nuk është letra e parë që Meksi i ka bërë autoriteteve përgjegjëse për zgjidhjen e problemit.
Në vitin 2005 pas ndërrimit të forcave në pushtet, ish zëvendësministrja dhe ministrja e Integrimit në kohën e socialistëve, Ermelinda Meksi, i është drejtuar me një letër Jozefina Topallit dhe Arenca Trashanit. Pas këtyre letrave drejtuar Kuvendit, ajo vendosi që të dorëzojë edhe padinë.
"Pasi u këshillova me avokatë për një parim, vendosa të hedh në gjyq kuvendin, sepse nuk më ktheu përgjigje në zbatim të një të drejte që ma jep ligji. Kaluan më shumë se 30 ditë siç e kërkojnë procedurat dhe arbitrariteti i këtij pushteti që s'i jep kujt llogari, nuk e quajti të arsyeshme të më përgjigjet. Kur takoj shkallëve të Kuvendit Sekretarin e Përgjithshëm dhe e pyes pse s' më përgjigjesh, me turp ngre supet sikur do të më thotë se nuk vendos unë po më lart.
Kjo është demokracia Topalli-Berisha që kur nuk respekton një deputete, imagjino se sa i respekton shqiptarët e thjeshtë, prandaj le të vendosë gjykata, bile jo vetëm për blerjen, po për gjithë shpenzimet që qeveria në dietë m'i la mua në ngarkim për mirëmbajtjen dhe siguracionin e makinës për 4 vjet, megjithëse sipas ligjit të cilin Topalli e ka përfolur kaq shumë se i djeg zemra për të kursyer, duhet të na i paguante Kuvendi", deklaroi deputetja Meksi.
Ajo akuzon mazhorancën se ka diskriminuar deputetët e majtë duke i penguar në punën e tyre si opozitarë.
"Kemi kërkuar hetim të fondeve sepse ne si opozitë jemi diskriminuar për çdo shpenzim me qëllim që të pengoheshim në funksionin tonë opozitar. Asnjë lek nuk më ka paguar Kuvendi për 4 vjet për makinën, gjithë mirëmbajtjen dhe siguracionin në 5 vjet i kam paguar vetë", sqaron në padinë e saj Ermelinda Meksi.
Letra e 17 qershorit
Deputetja Meksi nëpërmjet një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit sqaron se mbas përfundimit të statusit si ish Zv. Kryeministre dhe në zbatim të statusit të deputetit, në mungesë të
ndonjë automjeti tjetër nga Kuvendi i mbeti në përdorim makina Land Rover.
"Në janar të 2010 me kërkesën tuaj, ju kam dorëzuar dokumentacionin e plotë të makinës në përdorim për të kryer veprimet për privatizim.
Paralelisht me këtë Ministria e Integrimit ju ka kërkuar të bënit hyrjen e makinës si mjet në pronësi të Kuvendit. Çuditërisht në datën 14.6.2010 me shkresën e sipër cituar ju më vini në dijeni për parablerjen e një automjeti tjetër atë tip Bora me targë 6875 E, automjet që asnjëherë nuk ka qenë në përdorimin tim,veprim për më tepër jo konform ligjit.
Në datën 16 .6.2010 në takimin që patëm për këtë çështje u habita pa masë kur ju më konfirmuat se makinën nuk e bëni dot hyrje pasi dogana nuk ju ktheu përgjigje për çmimin e saj brenda datës 31 mars. Pas kërkesës për shpjegime lidhur me këto veprime absurde që kanë vite që zvarriten, duke më penguar në funksionin tim , m'u përgjigjët se tashmë kjo është bërë çështje politike dhe ju nuk mund ta zgjidhni, atë e zgjidh vetëm Kryetarja", -thuhet në letër.
Ligji
Qeveria rreth një vit më parë nxori një ligj ku kërkohej heqja e makinave për zyrtarët e lartë, përfshirë edhe automjetet e deputetëve dhe nxjerrjen e tyre në ankand. Në ligj parashikohet që përdoruesit e makinave në momentin që ka dalë ligji, kanë edhe të drejtën e parablerjes.
Ligji thotë se të parët që do t'u jepen makinat, janë zyrtarët që i kanë pasur në përdorim ato, madje pagesën mund ta realizojnë edhe me këste. "Për vlera më të mëdha se 1 milion lekë, zyrtari, në dispozicion të të cilit është mjeti, që gëzon të drejtën e parablerjes dhe që ka pranuar ofertën, ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e pagesës me këste, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 500 mijë lekë për çdo vit pasardhës, me kusht që të shlyejë menjëherë, të paktën këstin e parë prej 1 milion lekë", thuhet në ligj.
Ndërsa në rastet kur makinat nuk kanë qenë të titullarëve apo drejtorëve, apo këta të fundit kanë refuzuar të drejtën e parablerjes. "Ofertat dorëzohen me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura në zarf. Komisioni i ankandit, sipas kërkesës, pajis ofertuesit me një dëshmi, ku shënohen data dhe ora e pranimit të ofertës" sanksionohet në ligj. Sipas ligjit institucionet duhet të bëjnë një listë të automjeteve që do të shiten.
Lista e mjeteve të transportit, që do të shiten, i dërgohet nga autoriteti shitës, zyrës doganore më të afërt, e cila, brenda pesë ditëve kalendarike, përgjigjet zyrtarisht, për vlerën, që rezulton për secilin automjet, nga tabelat e buletineve, që pasqyrojnë vlerën e shitjes në tregjet evropiane.