PD -LSI kërkojnë ligj për presidentin
Deputeti Viktor Gumi: "I vetmi organ që nuk ka ligj për organizimin dhe funksionimin e tij është Presidenti"
Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet ligjin e propozuar nga demokratët për kompetencat e kreut të shtetit
Konflikti i vazhdueshëm i mazhorancës me institucionin e presidencës bën që kjo e fundit ti rikthehet idesë së dikurshme të socialistëve për një ligj organik për kreun e shtetit. Për këtë ligj demokratët kanë edhe mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila kohët e fundit ka dalë në mbrojtje të kreut të shtetit si në rastin e dekreteve. Sipas mazhorancës dy ligji organik për presidentin do të rregullonte organizimin dhe funksionimin e tij pasi është një detyrim kushtetues.
Një tjetër arsye sipas PD-së dhe LSI-së lidhet me konfliktet e vazhdueshme me këtë institucion për kompetencat dhe detyrat e kreut të shtetit. Sipas tyre ky ligj do t'u jepte fund interpretimeve ligjore mbi veprimtarinë e presidentit.
Pavarësisht klimës jo të mirë kohët e fundit midis PD-së dhe LSI-së, të dy këto forca bien dakord në një pikë të përbashkët, atë të miratimit të një ligji organik për kreun e shtetit. Deputeti demokrat dhe njëherësh anëtar i Komisionit të Ligjeve Viktor Gumi sipas kushtetutës veprimtaria e institucioneve rregullohet nëpërmjet një ligji organik dhe për pasojë një ligj të tillë duhet ta ketë edhe presidenti.
"Çdo lloj institucioni që është kushtetues ka organizimin dhe funksionimin e tij, me 3/5 kuptohet. I vetmi organ në këtë republikë që nuk ka ligj për organizimin dhe funksionimin e tij është Presidenti i Republikës" - deklaron deputeti Gumi.
Pavarësisht mungesës së një ligji organik, sipas anëtarit të Komisionit të Ligjeve Gumi kjo nuk do të thotë se kreu i shtetit nuk ka kompetenca. "Kjo nuk do të thotë që Presidenti i Republikës nuk ka kompetenca ato mund të jenë të shpërndara mirë në ligje të ndryshme, megjithatë ka praktika evropiane në këtë fushë që kanë ligj për organizimin e funksionimin e institucionin e Presidentit dhe unë kam përshtypjen, kjo është bindja ime personale që kjo është edhe fryma e Kushtetutës. Kjo është një kërkesë që kur është diskutuar bërja e Kushtetutës, edhe Presidenti i Republikës duhet të ketë ligjin e tij organik" sqaron deputeti Gumi.
Hartimi i një ligji organik për presidentin mbështetet edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputeti i LSI-së dhe njëherësh edhe Nënkryetar i Parlamentit Nasip Naço shprehet se një ligj i tillë i cili rregullon veprimtarinë e presidentit është i domosdoshëm. Hartimi i një ligji të tillë sipas deputetit Naço do ti japë fund edhe konfliktit mes forcës që është në pushtet dhe institucionit të presidencës.
"Sigurisht që do ishte një zgjidhje për ligjin organik. Do të ishte një zgjidhje edhe për institucionet e tjera ku të deklarohesh qartë procedura e emërimit 3 apo 6 muaj, sepse dihet që është me mandat të përcaktuar dhe nuk do kishim këtë konflikt të panevojshëm që është sot", deklaroi Nasip Naço. Ideja për një ligj për presidentin nuk është një propozim i ri.
Kanë qenë socialistët nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafa ata të cilët në 2008. Në atë kohë deputeti Fatmir Xhafa do të kërkonte se reforma e sistemit të drejtësisë duhet të përfshijë dhe kompetencat e kryetarit të shtetit, në lidhje me të drejtën për dekretimet. Deputeti Xhafa deklaroi dy vjet më parë që në ligjin për gjyqësorin duhet të përcaktohen qartë procedurat dhe afatet kohore të zbatimit nga ana e presidentit të së drejtës së dekretit, gjithmonë kur bëhet fjalë për çështjet e fushës së gjyqësorit.
Debati për kompetencat e kreut të shtetit bëhet në një kohë kur mazhoranca ka sulmuar presidentin Topi për vonesën në dekretimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese dhe për emrat e anëtarëve të tjerë të saj. Sipas demokratëve presidenti Topi nëpërmjet vonesës në dekretimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese ka shkelur ligjin themeltar të shtetit. Madje demokratët u shprehën të gatshëm që të mbledhin edhe Kuvendin para muajit shtator kohë kur fillon sesioni i ri parlamentar. Por kjo çështje është kundërshtuar nga Partia Socialiste që e cilësojnë sulm politik ndaj kreut të shtetit.
LSI thirrje PS-së për të ndalur bojkotin e parlamentit
Naço: "Besoj se opozita duhet të bëjë pjesën e vet në parlament"
Pas deklaratave të kreut socialist i cili la të hapur mundësinë se opozita do të rifillojë protestat në muajin shtator dhe do të rishohë qëndrimin ndaj parlamentit, ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim e cila i kërkon opozitës të ndalë bojkotin e parlamentit. Deputeti Nasip Naço i bëri thirrje Partisë Socialiste që të mos kushtëzojë marrëdhënien e saj me Parlamentin përmes djegies së fletëve të votimit.
"Përfitoj nga rasti për ti bërë dhe njëherë thirrje opozitës ta lërë bojkotin e kushtëzuar ndaj Parlamentit. Ka dhe rreth një muaj kohë, pushimet e verës, dhe në ditët e para të shtatorit besoj se opozita duhet të bëjë pjesën e vet në parlament, duhet të vijë në parlament.
Deputeti Naço thotë se opozita duhet të luajë rolin e saj në kuvend edhe për reformën zgjedhore. "Mjetet e saj në Parlament janë interpelancat me ministra të ndryshëm, mjetet e saj janë mocionet e besimit a të mosbesimit, ndaj kryetares së Kuvendit, ndaj kryeministrit, dhe të marrin pjesë realisht me debatet e tyre, debate të jenë të frytshme dhe ti shërbejnë gjithë shqiptarëve",- tha Nasip Naço, nënkryetar i LSI-se.
Më 30 qershor grupi i Partisë Socialiste mori një vendim për të votuar kundër të gjithë ligjeve që do të kalojnë në parlament gjë që e tregoi edhe në seancat e fundit parlamentare. Ndërkohë grupi socialist gjatë pushimeve do të përgatisë edhe axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë gjatë shtatorit.
Vendimi
1. Duke filluar që nga dita e nesërme Grupi Parlamentar Socialist përshkallëzon marrëdhënien me Parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij Parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar.
2. Grupi Parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin.
3. Lidhur me hapat e mëtejshme, Grupi Parlamentar Socialist në sesionin e ardhshëm, apo të ri, parlamentar që fillon në shtator, do të bëjë publike hapat e mëtejshme lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar.