Goditet një grup grabitësish të banesave
LEZHË/ Policia ka vënë në pranga një 20-vjeçar dhe një 15-vjeçar. Një tjetër adoleshent është shpallur në kërkim. Djemtë akuzohen për disa vjedhje në fshatrat e Kallmetit
LEZHË - Në të gjitha fshatrat e komunës Kallmet gjatë muajve të fundit janë realizuar një sërë vjedhjesh kryesisht në shtëpi banimi, ndërsa pak ditë më pare, në "shënjestër" të grabitësve ka qenë edhe ambulanca shëndetësore e fshatit. Nisur nga ky shqetësim gjatë gjithë javëve të fundit policia e Lezhës ka nisur të intensifikojë patrullimet në të gjitha fshatrat e kësaj komune, por veçanërisht në Kallmet, ku numri i vjedhjeve të kryera është më i lartë, duke vënë në pranga dy shtetas e duke shpallur në kërkim një të tretë.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës, kanë bërë të ditur se janë vënë në pranga dy persona të dyshuar dhe një është shpallur në kërkim, konkretisht: Emiljan Pjetri 20 vjeç dhe O.M., 15 vjeç, në bashkëpunim me R.E., 16 vjeç, (i shpallur në kërkim), që të tre nga Kallmeti, dyshohet se kanë vjedhur Qendrën Shëndetësore të fshatit Kallmet, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik 2010.
Gjithashtu, këta shtetas, sipas policisë, dyshohen të jenë edhe autorë të disa veprave të tjera. Në bashkëpunim me njëri - tjetrin ata dyshohet se kanë vjedhur, e më pas kanë shkatërruar me zjarr automjetin e një shtetasi me banim në fshatin Kallmet të Lezhës.
Ndërsa në banesën e një emigranti që jeton në Itali, dyshohet të kenë vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake, si lavatriçe e markës "Ariston", televizor 21-polësh, i cili është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pas kontrollit të ushtruar në banesën e njërit prej të ndaluarve.
Nga ana e strukturave përkatëse të policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për vepren penale të "vjedhjes në bashkëpunim" parashikuar nga neni 134/2, në ngarkim të shtetasve Emiljan Pjetri, shtetasit me iniciale O.M. dhe shtetasit të shpallur në kërkim me iniciale R.E.
"Çantat e dorës" po bien pre e grabitjeve në rrugët e qytetit të Lezhës. Një ngjarje e tillë është shënuar të dielën rreth orës 21:15 në lagjen "Skënderbeg" të qytetit të Lezhës. Burime zyrtare nga policia kanë bërë të ditur se shtetases Dava Çoku, 50 vjeçe, një 25-vjeçar i ka vjedhur çantën e dorës, të cilën më pas e ka hedhur poshtë një automjeti në sheshin përpara Bashkisë së Lezhës.
Policia ka identifikuar autorin dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë e ka vënë në pranga 25-vjeçarin Leonard Prela, lindur dhe banues në Kakarriq të Lezhës, i cili ka qenë i dënuar më parë për veprën penale "plagosje e lehtë".
Policia ka kryer veprimet e duhura proceduriale dhe materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale të "vjedhjes së mbetur në tentativë" në ngarkim të shtetasit Leonard Prela.