E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetja e ardhshme e PS: Bëj dializë, por do e pranoj mandatin

TIRANE- Mejreme Delishi, një prej kandidateve në listën e deputetëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës, pritet që në shtator të zëvendësojë ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli në Kuvend. Pas emërimit të Kodhelit, ish-prokurorja e Lezhës pohon se është e gatshme ta marrë këtë përgjegjësi, edhe pse disa probleme shëndetësore e mundojnë prej 3 vjetësh.

Ajo trajtohet me dializë, të cilën e bën një ditë po e një ditë jo, por në këtë fushatë pranoi të vinte në dispozicion të Partisë Socialiste opinionin e mirë dhe reputacionin që ajo gëzon në qarkun e Lezhës, për të marrë votat që PS-së i duheshin. Ajo do ta pranojë mandatin, të cilin mund ta lëshojë vetëm nëse këto probleme keqësohen. Gjithsesi, kandidatja për deputete që ka një beckgraund juridik, pranon se do të mundohet me të gjitha forcat e saj të përmbushë përgjegjësitë që i ngarkohen. “Është një përgjegjësi shumë e madhe, një përgjegjësi që ma ka dhënë votuesi i qarkut të Lezhës dhe që mendoj që do mundohem ta justifikoj me sa mundësi të kem”, - deklaroi ajo dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Mejreme Delishi e vlerëson shumë pozitive përbërjen e qeverisë së re, për dy arsye: për moshën e re të ministrave dhe për aktivizimin e shumë femrave. 
Zonja Delishi, ju tashmë, me kompletimin e emrave të qeverisë së re do të jeni sipas Kodit Zgjedhor një nga deputetet e Kuvendit të Shqipërisë, në vend të ministres Mimi Kodheli. Si e prisni këtë përgjegjësi të re? 
Kuptohet që e pres shumë mirë. Është një përgjegjësi shumë e madhe, një përgjegjësi që ma ka dhënë votuesi i qarkut të Lezhës dhe që mendoj që do mundohem ta justifikoj me sa mundësi të kem. 
A mund të na bëni një biografi të shkurtër tuajën, për t’ju njohur edhe më mirë? 
Unë kam mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike- Juridike në Tiranë në vitet 1983-1987. Me mbarimin e studimeve, kam filluar punë në Shkodër si prokurore e sektorit gjyqësor, ku kam punuar për 5 vite rresht. Pastaj kam kaluar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe pas detyrës si prokurore në Lezhë kam punuar si kryetare e Gjykatës në Lezhë për rreth 2 vite. Nga ai moment unë kam kaluar në aktivitet privat si avokate dhe pastaj si notere. Nga viti 1998 e në vazhdim kam punuar në profesionin e lirë të noteres. 
Po lidhja juaj me Partinë Socialiste kur daton? 
Unë kam qenë për 10 vite rresht e zgjedhur si kryetare e Forumit të Gruas Socialiste të qytetit të Lezhës dhe në vitet 2003-2006 kam qenë anëtare e Këshillit Bashkiak në qytetin e Lezhës. Më pas nuk kam pasur mundësi të angazhohem më, sepse jam shkëputur nga shumë gjëra, si nga ana e angazhimit në PS, ashtu edhe nga çështje të tjera, për shkak të problemeve shëndetësore, të cilat i kam edhe sot aktualisht. 
Këto sigurisht nuk do ju pengojnë për ushtrimin e mandatit të deputetes? 
Normalisht, ju thashë, është përgjegjësi e madhe që unë marr. Unë trajtohem me dializë. Kam 3 vjet që bëj dializë, një ditë po e një ditë jo. Por pavarësisht se kam qenë e sëmurë, pranova të kontribuoj për Partinë Socialiste edhe me reputacionin dhe opinionin që unë kisha në Lezhë, dhe i shërbeva PS-së për të siguruar një pjesëmarrje fillimisht dhe pastaj në rezultat. Në zonën 12 ku unë kam qenë, morëm vota të konsiderueshme. Nuk do të ndodhë që ndoshta edhe ta refuzoni mandatin e deputetes, për shkak të këtyre problemeve shëndetësore? 
Për momentin jo, sepse ligji është që unë të kaloj në vend të Mimit. Por për momentin, absolutisht që jo! Por nëse arsyet shëndetësore mund të avancojnë, mund edhe ta dorëzoj, por për momentin jo. 
Shpresojmë që jo... Si e vlerësoni qeverinë e re të koalicionit tuaj? 
Shumë-shumë mirë, si për moshën e re të ministrave, ashtu edhe për vlerat dhe kontributet që ata kanë dhënë. E vlerësoj shumë-shumë pozitive dhe mendoj që do jetë një qeveri që do t’u japë shumë shqiptarëve. 
Dhe prania e 6 ministreve, si ju duket? 
Kjo është shumë pozitive. Për mendimin tim, mosha e re e ministrave dhe aktivizimi i shumë grave në qeveri është shumë pozitive dhe do të shërbejë shumë.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›