E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Kazakistanit urdhëron vartësit: Më gjeni ilaçin e përjetësisë

Nursulltan Nazarbajev kerkon nga shkencetaret qe te zbulojne menyren per te shmangur vdekjen

Kleopatra mund të bënte dush me qumësht për të ruajtur rininë e saj, por Nursulltan Nazarbajev, Presidenti autokrat i Kazakistanit, dëshiron asgjë më pak sesa ilaçin e përjetësisë, që do ta mbante atë në punë përjetë.

I pakënaqur me 19 vjet drejtimi të shtetit aziatik-qendror, mjaft të pasur me gaz, Nazarbajev urdhëroi shkencëtarët e tij që të zbulojnë sekretin e pavdekshmërisë.

 Udhëheqësi 70-vjeçar theksoi në një fjalim se një institut i ri kërkimor-shkencor do të ndërtohet në kryeqytetin Astana për të studiuar “ripërtëritjen e organizmit” si edhe “gjenetikën njerëzore, prodhimin e organeve të ripërtëritura të individit”.

Në një bashkëbisedim me studentët, Nazarbajev shtoi: “Për sa i përket mjekësisë të së ardhmes, njerëzit e moshës sime realisht shpresojnë se diçka e tillë (ilaçi i pavdekshmërisë) do të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Dy muaj më parë, një delegat korean në Kuvendin Popullor të Kazakistanit propozoi që Nazarbajevi të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2020. Presidenti iu përgjigj: “Ndoshta, atëherë ju do të më ofroni një eliksir të rinisë dhe energjisë, ndoshta keni produkte të tilla në Kore… Unë jam i vullnetshëm të vazhdoj deri në 2020, thjesht më gjeni një eliksir të përjetësisë”.

Kjo ishte hera e tretë brenda vetëm një viti që Nazarbajev urdhëroi shkencëtarët që të gjejnë një mënyrë për të mposhtur vdekjen.

“Mjekësia kundër plakjes, rinimi natyror, pavdekshmëria, - tha ai në një komitet shkencor qeveritar në shtator të vitit të kaluar. - Këto janë gjërat për të cilat njerëzit jetojnë në kohët tona”. Ai shtoi se “ata që bëjnë diçka të tillë janë shtetet më të suksesshme në botë, ato që nuk e bëjnë do të mbeten shumë pas”.

Në rast se ndokush nuk e kishte kuptuar qëllimin e tij, Nazarbajev e përsëriti sfidën vetëm një muaj më vonë. “Një çështje e rëndësishme është mjekësia kundër plakjes, ose studimi i zgjatjes së jetës, - tha ai në një fjalim përpara universitetit kombëtar kazak në Almati. - Sado të vështira të jenë këto kërkime, këto çështje duhet të zgjidhen herët a vonë. Përse shkencëtarët nuk duhet të merren me këtë gjë? Nuk do të frymëzonte kjo rininë tonë kazake që është duke jetuar në momentet madhështore të pasionit?”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›